Dosja e “Sterilizimit”/ Biznesmeni Ilir Rrapaj, i arrestuar për mashtrim, kërkon lirinë në Apel

Ashtu siç edhe pritej, të dënurit nën akuzat e rënda të koncesionit të sterilizimit kanë nisur me kërkesat për ndryshimin e masave të sigurisë.

I pari është biznesmeni, në emër të kompanisë së të cilit është lëshuar edhe koncesioni qindra milionë eurosh i dikasterit të Shëndetësisë. Ka qenë mbrojtësi i tij ligjor që ka depozituar një kërkesë në Apelin e Gjykatës së Posaçme me pretendimin se klienti i tij, Ilir Rrapaj, duhet të hetohet nën një masë tjetër dhe jo atë të arrestit me burg. Ndonëse dosja prej qindra faqesh e implikon Rrapajn thuajse në të gjitha praktikat koncesionare, sërish pretendohet që ai të mos hetohet në masën e arrestit me burg, edhe pse ishte vetë SPAK që pretendoi se i shtyu me dy muaj arrestimet vetëm e vetëm të vinte në Shqipëri ky person. Madje ditën e njohjes me masat, ishte sërish prokurori i çështjes i cili një nga argumentet më të forta kishte faktin se biznesmeni Rrapaj dhe ishnumri dy i ministrisë së Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj, duhen hetuar në burg se mund të largohen nga vendi!

KËRKESA

Biznesmeni, Ilir Rrapaj, i arrestuar për çështjen e sterilizimit ka ankimuar masën e arrestit me burg duke kërkuar lirimin në gjykatën e Apelit. Nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, Ardjan Kalia, pronari i shumicës së aksioneve të “Sani Service”, ka kërkuar masë më të butë sigurie. Biznesmeni Ilir Rrapaj, i arrestuar më 16 gusht 2023, akuzohet për mashtrim me pasoja të rënda, me koncesionin e sterilizimit. Sipas SPAK, ai i ka kryer këto vepra penale fillimisht në studimin e fizibilititeteti për koston e shërbimit si dhe kur ka fshehur njohjen dhe konfliktin e interesit që ka patur me zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë kur ka aplikuar për koncesionin e sterilizimit. Për abuzimet me këtë koncesion, i cili u denoncua tre vite më parë nga Nisma Thurje, në pranga ka rënë edhe ish-zv/ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, i cili po ashtu pritet të dorëzojë të njëjtën kërkesë për lirimin e tij në një masë tjetër. Gjatë verifikimit te masës së sigurisë ne gjykatën e posaçme avokatja mbrojtëse e Klodian Rjepajt afroi edhe garanci pasurore kundrejt lirimit të tij, po kjo kërkesë nuk u pranua. Për koncesionin 10-vjeçar të sterilizimit me vlerë 100 milionë euro, me masë sigurie janë edhe 6 persona të tjerë të cilët akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim. Në lidhje me këtë koncesion, është duke u hetuar edhe ishministri e Shëndetësisë, Ilir Beqaj, dhe ish- ministrin e Financave, Shkëlqim Cani.

NICIATIVA KONCESIONARE SIPAS SPAK

Në hetimet e gjata të Prokurorisë së Posaçme për këtë koncesion u bë me dije se në dokumentacionet e sekuestruara ishin të përcaktuara që herët mënyrat se si do të operohej me fondet për sterizilimin. Në dosje thuhej se: “Bashkëpunimi publik-privat në fushën e ‘Instrumentarit’ dhe të ofrimit të materialeve mjekësore njëpërdorimshme, trajtim të mbetjeve me rrezik biologjik, si dhe dezinfektimi i sallave operatore, do të bëjë të mundur ofrimin e EKSELENCËS për sa i përket ofrimit të setit të instrumenteve duke rinovuar të gjithë setet ekzistuese 20-30 vjeçare në sallat e kirurgjisë në të gjithë spitalet e vendit, menaxhimit, mirëmbajtjes dhe sterilizimit të instrumenteve dhe materialeve mjekësore duke adoptuar procese të certifikuara sipas standardeve dhe kërkesave ndërkombëtare. Më tej, Rjepaj shprehet se, kjo PPP do të sjellë përmirësim të dukshëm për sa i përket efiçiencës dhe kosto- efektivitetit, duke ulur ndjeshëm kostot e fshehta të lidhura direkt ose indirekt me sallat e operacionit, monitorimin dhe përmirësimin e performancës në sallat e kirurgjisë dhe në spital në përgjithësi si dhe do të ulë impaktin social dhe ekonomik të sëmundjeve të transmetueshme në sallat e operacionit dhe në spital në përgjithësi.

Në memo, theksohet se kjo zgjidhje për shkak të përdorimit dixhital të menaxhimit do të rrisë transparencën dhe do të luftojë korrupsionin. Iniciativa në fjalë është ndërmarrë nga numri dy i ministrisë së Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, që përfaqësonte në këtë funksion asokohe LSI-në. Përfitues direkt i kësaj iniciative për koncesionin, do të bëhej në vitin 2015, shoku i fakultetit të zv.ministrit, biznesmeni Ilir Rrapaj dhe partnerët e tij në kompaninë “Sani Service”. Pikërisht mbi këtë dokument, ministri i Shëndetësisë ka vendosur shënimin dakord dhe ka vijuar me Urdhrin e datës 18 gusht 2014, “Për ngritjen e Komisionit të dhënies së koncesionit”.

 

Burim: panorama.co

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*