
Nga Alba Malltezi
Ndërsa pedagogu i Arteve dhe aktori, Genc Fuga, lufton me jetën e tij në një spital privat në Tiranë, ende asnjë shpjegim nga institucionet shqiptare: Përse kjo ndërhyrje në kokë nuk u bë në urgjencën e Spitalit tonë publik falas, duke shmangur dhimbjen tjetër familjes, atë të grumbullimit të 19 mijë eurove për ta bërë këtë operacion në spitalin privat?! Edhe këtë herë zëmergjerësia dhe solidariteti është i shqiptarëve të thjeshtë nuk pati kufi.
Të shohësh ministren shqiptare të Shëndetësisë teksa pozon me buzëqeshje të ndryshme në 8 nga 14 fotot e postuara në faqen e saj në Facebook ditën kur gruaja e pedagogut të fakultetit të Arteve, Genci Fuga, kërkon ndihmë dëshpëruese për të mbledhur parà për operacionin jetëshpëtues në një spital privat në Tiranë, thotë shumë. Ta shohësh të njëjtën ministre aq të gëzuar edhe ditët më pas, pa asnjë shpjegim për shoqërinë, në plazhin në Shëngjin, tregon akoma më shumë.
Ende sot nuk kemi një përgjigje nga institucionet: Përse pedagogu Genc Fuga nuk u dërgua nga urgjenca spitalore në Spitalin publik dhe përse nuk ju bë aty ndërhyrja në kokë për të shmangur më tragjiken?!
Është e sigurtë që goditja që pësoi Genci nuk është e para dhe as e fundit për një njeri, ndërkohë që fakti nëse bëhet apo jo publik, nëse mësohet apo jo nga masa e gjërë e shqiptarëve, ka të bëjë vetëm me rëndesën e sëmundjes dhe trashësinë e portofolit të kujt i bie për pjesë.
Nuk ka kaluar shumë kohë kur artisti, (ironi e fatit), pat dhënë një tjetër alarm që nuk duhej të kalonte as me indiferentizëm, as pa reaguar nga institucionet. Një familje me dy të punësuar në Shtet, nuk arrin fundin e muajit. Ndjehet e pafuqishme të krijojë të ardhura të mjaftueshme përballë shtrenjtimit të jetës. Ndjehet e dështuar në misionin e prindërimit dhe të sigurimit të të ardhurave në rrugë korrekte, të ndershme.
Dhe nuk mund të themi se Genci nuk është nga optimistët dhe besuesit në përmirësimin e përvitshëm të Shqipërisë. Por sa vlerë ka e gjitha kjo kur shumë shqiptarë duhet të enden dyerve të spitaleve private, t’i falenderojnë ata publikisht, të mbledhin të ardhurat përmes apelimeve në rrjetet sociale, atëherë kur familjarët dhe vetë ai duhet të përqëndrohen të mbeten në këtë botë ashtu korrektë, dinjitozë, të drejtë dhe të mirë.
Ngjarjet nuk ndodhin rastësisht, pedagogu Genci Fuga me jetën e tij na ka dhënë dy alarme të dhimbshme, të cilave nuk mund t’iu përgjigjemi me pasarelat mediatike të ministres sonë të shëndetësisë./ Shqiptarja.com
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve