Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka kërkuar tërheqjen nga tregu të ilaçit “irbesartan”, mjekim që përdoret për tensionin e gjakut, pasi mendohet se ka në përmbajtje substanca kimike që mund të shkaktojnë kancer. Pas testimit që i është bërë ilaçit, FDA ka zbuluar se pilulat përmbajnë substancën organike N-nitrosodiethylamine (NDEA), që është klasifikuar si potencial për shkaktimin e kancerit te njerëzit.
Tabletat e irbesartan, për të cilat është kërkuar tërheqja nga tregu, janë të prodhuar në doza 75 mg, 150 mg dhe 300 mg nga kompania farmaceutike ScieGen Pharmaceuticals Inc. FDA rekomandon pacientët që të flasin me mjekun para se të heqin dorë nga ky ilaç, pasi rreziku është i lartë nëse një pacient ndalon së marri ilaçin krejt papritur, prandaj mjeku duhet të rekomandojë një mjekim tjetër alternativ.
Për të kontrolluar nëse po e përdorni edhe ju këtë ilaç, mund të merrni më shumë informacione mbi të duke klikuar në faqen zyrtare të FDA .
Në qershor të këtij viti FDA kërkoi gjithashtu tërheqjen nga tregu të ilaçit valsartan, i përdorur për zemrën, pasi u zbulua se përmban substancën kimike NDEA që mund të shkaktojë kancer.