Gjinekologjia shqiptare, me këmbë të hapura

Elona Tereziu

Mungesa e mjekëve gjinekologë (në Tiranë dhe rrethe) ka bërë që Ministria e Shëndetësisë të rikthejë sërish në punë mjekët e dalë në pension, përmes kontratave 6-mujore.

Një situatë e tillë ka ndodhur pak muaj më parë në Maternitetin e Burrelit me rikthimin në punë të mjekes neonatologe Engjellushe Gjoka (bashkë me dërgimin e 4 mjekëve nga Tirana me sistemin e Patrozhanimit) ç’ka riktheu sërish në funksion shërbimin e gjinekologjisë i mbyllur përgjatë periudhës (gusht 2016- janar 2018). Ndërkohë që sipas burimeve të gazetës Shëndet +, e njëjta situatë ka ndodhur edhe në Tiranë, konkretisht në Qendrën Shëndetësore Nr.1, me rikthimin në punë të mjekes gjinekologe.

Kjo dëshmon edhe një herë dështimin e Ministrisë së Shëndetësisë me sistemin e bonusve për mjekët specialistë, të cilët ashtu sikurse në kohën e ish-ministrit Ilir Beqaj me shpërblim prej 100 mijë lekësh të rinj, nuk ‘joshen’ më as nga oferta e Manastirliut me shpërblim 2.5 milionë lekë të vjetra në muaj.

Në raportin vjetor të Fondit të FSKDSH (Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor) për vitin 2016, rezulton se për bonusin për mjekët specialistë të kontraktuar në shërbimet e munguara në spitalet e rretheve janë shpenzuar 8.1 milionë lekë. Pra, sipas një shifre të tillë, sistemi i bonuseve ka dërguar në rrethe jo më shumë se 7 mjekë specialistë, megjithëse qeveria pati shpallur 200 vende vakante. Kjo shifër është deklaruar /pranuar edhe nga Beqaj në një nga seancat dëgjimore në Komisionin e Shëndetësisë.

Ndërkohë që hendeku thellohet edhe më tej, nga 247 kuota pranimi për specializimet në mjekësi, Ministria e Shëndetësisë, i ka lënë obstetrikë-gjinekologjisë, vetëm 8 kuota pranimi të mbuluara./ shendeti.com.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*