
(Vjola Feraj, drejtore e Qendrës Shëndetësore Kamzë)
Denisa Canameti
“Urgjencat që vijnë nga Kamza, për shkak të mosofrimit të shërbimit atje, shtojnë fluksin në QSUT”. Këto janë disa nga pretendimet e shefave të shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Veçanërisht në periudha ku sëmundjet virale shtojnë dukshëm numrin e pacientëve në shërbimin e urgjencës, duke tejkaluar mbi kapacitete.
Por, çfarë thonë mjekët e Kamzës?! Çfarë thotë titullarja e institucionit Vjola Fera lidhur me këto pretendime?! Gazeta “Shëndet+” ishte një ditë në shërbimin e urgjencës në Qendrën Shëndetësore të Kamzës. E ajo që mund të thuhet me siguri, është se kjo urgjencë përballon një numër të lartë pacientësh, shpesh herë duke tejkaluar çdo mundësi.
Qendra Shëndetësore e Kamzës u shërben sot afro 100 mijë banorëve të zonës.
Doktoreshë Vjola, ka një përqendrim të vëmendjes suaj në shërbimin e urgjencës, pse? Sa është numri i vizitave që kjo urgjencë pret në ditë/muaj?
Një drejtues i mirë duhet që, përpos angazhimit të përditshëm të detyrave të përcaktuar në kontratën e punës, të rrezatojë dëshirën dhe vullnetin për të ndryshuar dhe për të zhvilluar një vizion për të cilin i kanë besuar një institucion. Në fillim u mora me regjistrat e shërbimit të urgjencës dhe pashë një numër të lartë, rreth 600 vizita në muaj. Sigurisht janë shumë për statusin e një qendre shëndetësore. Kërkova të gjej arsyet së përse poliklinika e specialiteteve u vendos në Paskuqan, ku shumë herë më mirë do ishte më shumë funksionale pranë qendrës tonë, sepse ka numër më të lartë banorësh. E dyta, tek ne ka shërbim 24 orë dhe, duke qenë qendër në nivel bashkiak, do të kishte qenë më e lehtë që Qendra Shëndetësore Kamëz të merrte ligjërisht statusin e spitalit bashkiak. Për vitin 2017 janë vetëm në shërbimin e urgjencës 18 mijë vizita, pa shtuar këtu numrin e vizitave të mjekëve të familjes.
Si është mbulimi me medikamente i kësaj urgjence?
Këtë vit, dhe me ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë, ka një vëmendje më të lartë për furnizimin dhe pajisjen e qendrës tonë me medikamente, ku kemi zgjedhur problemin e medikamenteve të urgjencës, që besoj do të jenë të mjaftueshme, pavarësisht se mjekët e Qendrës Shëndetësore Kamëz shërbejnë dhe për zonat e tjera që janë afër nesh, duke filluar nga Çerkeza, Aeroporti Rinas, Bathorja, Instituti, madje shpesh edhe nga Fushë Kruja.
Pajisja me aparatura mjekësore për ofrimin e ndihmës së parë, si është? Po mbulimi me mjekë?
Në shërbimin e urgjencës ofrohen aparaturat për ndihmën e parë, si defebrilatori, bombola e oksigjenit, barela, autoambulanca, radiografi, ekg, echo abdominale dhe kardiake. Sigurisht duhen mjekët specialistë për ta interpretuar.
Shërbimi i urgjencës thirrjet për ndihmë të parë mund t’i marrë nga vetë rasti në urgjencë, nga Qendra Kombëtarë e Urgjencës ose në vetë numrin e urgjencës tonë.
Mjekët që shërbejnë në qendrën tonë janë mjekë me eksperiencë të gjatë pune në shërbimin e urgjencës, mjekë të përkushtuar. Aktualisht nuk ka mungesa në mbulimin e shërbimit me mjekë.
Si funksionon shërbimi i urgjencës me autoambulancë? Sa efektiv është në Kamëz?
Pas 6 muajve punë në drejtimin e Qendrës Shëndetësore, kemi arritur që këtë vit pacientët të kenë mjaftueshëm medikamente, sigurisht ne si qendër shëndetësore nuk kemi shtretër pacientësh ku të bëjmë mjekim afatgjatë, por për herë të parë shumë urgjenca do të merren përsipër të trajtohen nga qendra jonë me medikamentet tona.
Cilat janë sfidat me të cilat përballeni çdo ditë në shërbimin e urgjencës?
Urgjencat më të shpeshta janë krizat hipertensive, status asthmatik in krisis, alergjitë e ndryshme, gastroenteritet akute, intoksikacionet alkolike, shpesh dhe kimike apo ato jetëkërcënuese. Sigurisht aksidentet dhe traumat zënë një vend të rëndësishëm, duke qenë se në zonën tonë kalon dhe rruga nacionale.
A qëndron pretendimi që, mosfunksionimi si duhet i urgjencës së Kamzës, ngarkon QSUT-n? Cilat urgjenca përcillni në QSUT?
Urgjencat që përcillen për QSUT janë po ato raste që mund t’i përcjellë çdo mjek në ndonjë vend tjetër që duan ndihmë spitalore ose për një konsultë dhe vlerësim të gjendjes nga mjekët specialistë. Këtë që Kamza shton fluksin, nuk e besoj. Për shembull, tani që ne jemi në epidemi fruthi, pothuajse kemi të njëjtin numër vizitash, rreth 200 vizita për fëmijë sa janë dhe tek pediatria.
Laboratori, a bëhen të gjitha analizat e nevojshme për të përballuar një urgjencë? Po për të përcaktuar diagnozën?
Për herë të parë pacientët e Qendrës Shëndetësore Kamëz analizat biokimike do të kenë mundësinë t’i bëjnë pranë laboratorit tonë. Këtë vit kemi punuar që të fuqizojmë laboratorin hematologjok dhe biokimik dhe shumë shpejt, në një etapë të dytë, ky laborator do të ketë hapësirën dhe me personel laborant për të punuar 24 orë.
Elisabeta Musta: Stafi i infermiereve të urgjencës, janë heroina
Sot po ofron shërbim në urgjencë doktoreshë Elisabeta Musta. Lidhur me sfidat e një dite në urgjencë, doktoresha përgjigjet se: “Sfida e përditshme është të luftosh me dhimbjen dhe vuajtjen, të bësh më të mirën në kushtet në të cilat punojmë, të sigurosh shërbim të shpejtë e efikas, si në vendosjen e diagnozës ashtu dhe në trajtim.

(Elisabeta Musta, mjeke familje pranë Qendrës Shëndetësore Kamzë)
Në urgjencë paraqiten nga rastet e thjeshta me një gjendje febrile që nuk shkojnë te mjeku i familjes, deri te urgjencat madhore si infarktet, embolitë pulmonare, reaksionet alergjike e gjendjet e shok-ut, traumat, statuset epileptike e astmatike etj”.
A ndodh të keni situata konfrontimi me pacientët?
Sigurisht që varet nga graviteti i situatës dhe mënyra sesi veprohet me çdo rast. Por për pacientin çdo situatë është urgjencë e ndonjëherë ndodh dhe konfrontimi. Me gjithë angazhimin maksimal nga mjekët që kryejnë shërbimin e urgjencës, ndonjëherë u duket se nuk marrin shërbim në kohën e duhur apo në mënyrën e duhur. Varet dhe nga kultura e pacientit, ndonjëherë duket sikur secili do të ketë një mjek në dispozicion që nga momenti që paraqitet në urgjencë e derisa largohet. Problemet më të mëdha duket se krijohen nga familjarët që sigurisht të shqetësuar për gjendjen e të afërmit të tyre duan t’i gjenden pranë e ndonjëherë bëhen dhe pengesë për punën e mjekut të urgjencës. Pa dashur të anashkaloj punën e mjekut, përballjen më të madhe me familjarët për t’i larguar nga shtrati i të sëmurit e kanë stafi i infermiereve të urgjencës. Realisht, ato zonjat janë heroina.
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve