Spitali pagoi mirëmbajtjen por nuk punoi asnjë ditë. Vihet në punë pas 4 vitesh shintigrafia

Një shërbim i ri, shumë i rëndësishëm për pacientët me sëmundje të veshkave, mushkërive, zemrës, tiroides, etj, ekzaminimi i shintigrafisë ka filluar të ofrohet falas në spitalin universitar ‘Shefqet Ndroqi’ në Tiranë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj. Ogerta Manastirliu vizitoi qendrën e diagnostikës, ku deklaroi se ky shërbim i ri që ofrohet në këtë spital ka zeruar radhët e pritjes në spitalet publike.

“Spitali Universitar Shefqet Ndroqi po fuqizohet duke u kthyer gjithnjë e më shumë në një qendër reference, jo vetëm për sëmundjet e mushkërive por për një gamë të gjerë shërbimesh në nivel terciar. Ky ekzaminim i ri që shërben për diagnostikimin e sëmundjeve që prekin shumë organe si mushkërinë, kockat, veshkat, tiroiden, etj, patjetër që do të ndikojë në përmirësimin e trajtimit për pacientët. Me këtë shërbim, që pas QSUT ofrohet edhe në këtë spital, pacientët nuk kanë më nevojë ti drejtohen strukturave jopublike, pasi radhët e pritjes nga 45 ditë për ta kryer këtë ekzaminim, sot janë zero”, tha Manastirliu.

Por, kujtojmë se në një raport auditi të ushtruar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në këtë spital para 2 vitesh, u evidentua mosfunksionimi i pajisjes mjekësore “Shintigrafi”.

“Pasjisja mjekësore “Shintigrafi”, e cila shërben për diagnostikimin e disa sëmundjeve të mushkërive, nuk ka qenë në përdorim dhe në funksion që nga data 01.09.2014 dhe akoma deri në momentin e auditimit, nuk është në përdorim. Mosvënia në përdorim dhe në funksion të kësaj pajisjeje mjekësore, është justifikuar nga spitali për mungesë të mjekut specialist për përdorimin e saj. Mirëpo edhe për mirëmbajtjen e kësaj pajisjeje, e cila nuk ka qenë asnjëherë në punë, spitali ka paguar në favor të subjektit dhe në dëm të buxhetit të buxhetit të shtetit vlerën e plotë prej 7,733,041 lekë të shërbimit të mirëmbajtjes për të gjithë këtë periudhën që nga data 01.09.2014 deri në shkurt të vitit 2016” thuhej në raport.

I kontaktuar nga gazetarët e “Shëndet plus” për këtë problem, drejtori i spitali Perlat Kapisyzi u shpreh në atë kohë se: “Problematika është komplekse. Nuk është vënë në funksion që kur është blerë. Nuk ka pasur kushte teknike për ta vënë në funksion. Nuk ka mjek specialist për ta lexuar” ./ D.C

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*