
Bisedoi: Denisa Canameti
617 infermierë kanë kërkuar të largohen nga Shqipëria në 2017-n, për të punuar në vendet perëndimore, kryesisht në Gjermani. Shkaqet e largimit janë për një pagë dhe trajtim më të mirë. Është thënë se infermierëve tanë u mungojnë aftësitë dhe shprehitë praktike, e ky është defekt i kurrikulës formuese të tyre. Por, çfarë thonë vetë infermierët që kanë kaluar të gjitha fazat dhe sot janë të punësuar në Gjermani?
Xhoana Pashaj ka punuar në Poliklinikën e Specialiteteve numër 3 në Tiranë. Pas 6 muajsh pune në një nga klinikat mjekësore në Stuttgart, Xhoana tregon për Pro Pacientit eksperiencën e saj, vështirësitë dhe kënaqësitë që kjo eksperiencë i ka dhënë.
Xhoana, ti ke qenë e punësuar në një nga institucionet shëndetësore në Shqipëri, ndërkohë sot po ushtron këtë profesion në shtetin gjerman. Cilat janë fazat nëpër të cilat kalon pasi përfundon kursin e gjuhës gjermane në Shqipëri?
Kur isha në nivelin e fundit të gjuhës, caktova një datë takimi në Ambasadën Gjermane në Tiranë, për të marrë vizën. Gjërat ishin të organizuara mirë, edhe nga shteti gjerman, ishte hapur një sportel i posaçëm për infermierët që aplikonin për punë. Viza më doli shumë shpejt, brenda dy javësh. Në momentin që merr vizën, organizohet udhëtimi për në Gjermani.
Ky është një moment pak delikat, sepse veç faktit që duhet të largohesh nga Shqipëria, nga familjaret apo miqtë dhe normalisht kjo të sjell pak nervozizëm apo stres. Në Gjermani në javën e parë të mbërritjes duhet të japësh provimin e licencës (lejes se ushtrimit te profesionit).
Kjo është diçka shumë e rëndësishme, sepse pa këtë nuk ke të drejtë të punosh si infermier, por vetëm si ndihmës ose asistent. Pikërisht fakti qe ke diçka kaq të rëndësishme përpara, nuk të lejon që t’i shijosh siç duhet momentet e fundit me njerëzit e tu.
Kush e organizon udhëtimin dhe e paguani?
Udhëtimi nuk organizohet nga ne. Në bashkëpunim caktohet një datë për udhëtimin. Bileta dhe hoteli ku do të akomodohesh gjatë javës që do japësh provimin, paguhen nga kompania. Fluturimi bëhet ditën e shtunë ose të diel. Edhe tarifa e provimit gjithashtu. Ne nuk paguajmë për këto. Çdo gjë është e organizuar. Udhëton bashkë me një grup tjetër studentësh, diku 14-16 studentë.
Në aeroport të pret një përfaqësues nga kompania, i cili të shoqëron në hotelin ku do të akomodohesh për një javë. Ky përfaqësues qëndron me ne për gjithë javën në hotel dhe të ndihmon për të gjitha gjërat e nevojshme.
Pasi arrini në Gjermani…
Në javën e parë organizohet provimi, por që është një javë shumë e bukur, sepse ke kohë të dalësh, të shëtitësh nëpër qytet dhe të mësosh gjëra të reja. Këtë javë nuk e ndjen pjesën e largimit, sepse je me njerëz që i njeh. Të martën fillon provimi, i cili ka 4 pjesë: pjesa e praktikës, psikologjia, pjesa e testimit nga infermieri dhe e fundit testimi nga mjeku. Të premten dolën rezultatet e provimit. Unë dola shumë mirë në provim, këtu ishte fundi i të gjitha përpjekjeve për gati një vit. Ka qenë një ditë shumë e lumtur, sepse kisha arritur diçka që e doja kaq shumë. Realisht nuk më besohej.
Ju rezultuat fituese në provim, çfarë ndodhi më pas?
Pasi kalova me sukses provimin, të shtunën do nisesha për te klinika. Isha e para që do ikja, sepse isha aty afër. Kurse të tjerët duhet të udhëtonin për në veri të Gjermanisë të martën. Deri të martën kishin kohë të shijonin këtë sukses. Kjo pjesë mua më mungoi sepse ditën tjetër do ikja direkt. Dita e ikjes time ka qenë një ditë shumë e trishtueshme. Të gjithë shoqet dhe shokët më shoqëruan deri te treni. Kur u nis treni dhe të gjithë po më përshëndesnin me dorë dhe po largoheshin, jam ndier shume keq. Për herë të parë pas gjithë atyre muajve punë dhe sakrificë, ndjeva pasiguri, frikë dhe m’u duk sikur kisha humbur diçka nga vetja.
Aty po nisja diçka te re. Ky tren po udhëtonte drejt të panjohurës. Gjithë rrugës me tren me kaloni lloj- lloj mendimesh në kokë, kisha frikë a do ja dilja. Më dukej sikur isha shumë larg nga çdo gjë e imja që më përkiste. Kam qenë aq shumë e hutuar, sa e harrova që duhet të zbrisja dhe kam vazhduar edhe unë 2 stacione të tjera. Ka qenë një udhëtim shume i shkurtër, por më është dukur më i gjati i jetës time. Kjo gjendje mori fund shumë shpejt, sapo zbrita.
Në stacion më priste një përfaqësues i klinikës ku do të punoja. Ai më shoqëroi deri te shtëpia, ku tani do jetoja . Një shtëpi të cilën në fillim e paguante klinika dhe pastaj do e paguaja vetë.
E njihje klinikën ku do të punoje?
Klinikën ku do punoja e njihja, sepse kisha pasur disa intervista me punëdhënësin tim në Shqipëri, ku dhe kishin firmosur kontratën e punës.
Kur filluat punë dhe cili ishte roli juaj? Domethënë, a ju njihej e drejta e plotë si infermiere?
Ditën e hënë fillova punë. Që ditën e parë me akses të plotë si infermiere, me medikamente, injeksione, mjekime plagësh e të gjitha të tjerat. Dy javët e para kam punuar nën mbikëqyrjen e kryeinfermieres, e cila më ka ndihmuar shumë, duke më treguar si funksionon puna, të gjitha detyrat dhe përgjegjësit që infermieri ka. Normalisht ka patur pak vështirësi në fillim, sepse mënyra e organizimit të punës është e ndryshme nga mënyra e punës në Shqipëri. Por që sa herë kam pasur nevojë për ndihmë, kanë qenë të gatshëm të më ndihmonin. Pas dy javësh kam pasur pacientët e mi dhe ka vazhduar puna normalisht. Pas 3 muaj jam bërë përgjegjëse turni. Kjo është diçka që më pëlqen, sepse nëse e shohin që ti ke hedhur një hap të ndihmojnë që të vazhdosh të ecësh dhe të vlerësojnë shumë për atë që ti je e aftë të bësh.
Është thënë që pagat e ulëta në Shqipëri janë një nga arsyet kryesore që ju shtyn ju që të zgjidhni të punoni në Gjermani. Si janë pagat atje?
Pagat janë shumë të kënaqshme, çdo 6 muaj ka rritje rroge. Pastaj paguhesh në varësi të pozicionit të punës që ti ke. Pagat shkojnë më shumë se 3000€ bruto.
Po shpenzimet?
Realisht shpenzimet nuk janë shumë të mëdha. Çmimet janë më të lira se në Shqipëri. Pjesa e shërbimeve është pak më e kushtueshme. Por që në fund të muajit ke mundësi të kursesh.
Para se të ikni, a jeni kontaktuar nga ndonjë person për të argumentuar arsyet e mos largimit? Ju keni qenë infermiere e punësuar dhe e dalluar…
Institucionet përkatëse Shqiptare nuk janë interesuar fare. Por mbaj mend që shumë njerëz më pyesnin se kur do ikja, me qëllim që të zinin vendin e punës që unë kisha. Kjo më është dukur edhe pjesa më qesharake, sepse unë vazhdoja të punoja aty dhe njerëzit mendonin si e si të më zinin vendin. Aty e kuptova që isha duke bërë gjënë e duhur. Pastaj ka qenë edhe një pjesë tjetër e njerëzve qe njihja, ata njerëzit skeptik dhe me mendime negative. Të cilët ishin gjithmonë aty, duke mos pasur besim se do ja dilja, ose duke të të kujtuar anët më negative që sjell fakti i të marrit një vendim për t’u larguar. Për fat të keq, kjo pjesë vazhdon akoma të ekzistojë, herë pas here vazhdoj të dëgjoj akoma ata njerëz që mendojnë që nuk punoj fare si infermiere ose që kam një pagë që nuk më mjafton për shpenzimet e mia. Por që kjo gjë më ka bërë të reflektoj, të njoh një pjesë të njerëzve, madje, për fat të keq, edhe një pjesë të miqve të mi. Por që qëndrimi im ka qenë heshtja dhe po le suksesin tim të flasë.
A je penduar për këtë zgjedhje?
Ka diçka të cilën e them me bindje të plotë: Nuk jam penduar fare. Ndihem shumë mirë pak kaq sa kam arritur, jam në një fazë investimi për veten dhe kam shumë gjëra të tjera që më presin. Mund ta quaj veten me fat, sepse punoj me njerëz që më falënderojnë çdo ditë për atë që jap. Madje, që nga data 1 janar kam filluar në një pozicion të ri pune, që quhet“Pflegemanagement“ . Për herë të parë,kam filluar ta dua profesionin tim, sepse marr kënaqësi për atë që bëj./
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve
ca 3000€ brutto?? kjo eshte tallje. max 2500€ brutto dhe rritje vjen pas ca vitesh. ne gjermani jane taksat e larta dhe kostoja e jeteses gjithashtu. ne fund te muajt te mbeten pak euro ne xhep. puna eshte shfrytezuese. te gjithe perfundojne neper azile duke punuar si skellever. pastrojne jashteqitjen e gjermaneve. sidomos per femrat nk keshillohet. jane te vetme rrugeve te gjermanise apo neper fshatra te humbura. Dekra si kompani fiton shume para dhe infermiereve iu jep pak.
Pershendetje me vjemir qe ke pas aq mirbesim ne veten tende e qe ja ke dal pa marr parasysh thash e thanat e njerzve I ke tejkalu shendet dhe suksese te uron Infermjerja-fizjoterapeutja nga kosova suksese.