Shifra të reja/ 2013-2017: 3-fishohet numri i mjekëve të larguar

Denisa Canameti

Certifikata e sjelljes së mirë profesionale (Good Standing Cerificate) lëshohet nga Urdhri/Dhoma apo Shoqata e Mjekëve të vendit të vet ku vërtetohet se mjeku është i regjistruar, e ushtron profesionin dhe se gjatë ushtrimit të profesionit nuk ka asnjë masë disiplinore kundrejt tij/saj.

Kjo certifikatë është një dokument që kërkohet nga të gjithë mjekët që aplikojnë për specializime afatgjata ose afatshkurtra jashtë vendit, kërkohet për të konvertuar diplomën e Universitetit të Mjekësisë së Tiranës në një vend të huaj, kërkohet për të punuar jashtë vendit.

Sipas të dhënave të kërkuara në rrugë zyrtare nga Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë lidhur me numrin e mjekëve që kanë kërkuar certifikatën e sjelljes së mirë profesionale, na u vunë në dispozicion shifrat e mëposhtme, nga viti 2013-2017:

  • Në vitin 2013 janë pajisur me këtë certifikatë 76 mjekë të përgjithshëm
  • Në 2014 janë pajisur me këtë certifikatë 128 mjekë të përgjithshëm
  • Në 2015 janë pajisur me këtë certifikatë 124 mjekë të përgjithshëm dhe 19 mjekë specialist
  • Në 2016 janë pajisur me këtë certifikatë 165 mjekë të përgjithshëm dhe 43 mjekë specialist
  • Në 2017 janë pajisur me këtë certifikkatë 175 mjekë të përgjithshëm dhe 32 mjekë specialist

Pavarësisht se certifikata e sjelljes së mirë është dokument që lëshohet vetëm për jashtë shtetit, shprehet Urdhri i Mjekut, nuk mund të bëjmë një vlerësim sesa mjekë që pajisen me këtë dokument nuk kthehen më në Shqipëri.

Vitin që shkoi kjo statistikë u interpretua si një gjendje alarmi për vendin. Nën zë mjekët shprehën pakënaqësinë e të punuarit në Shqipëri, ndërkohë që vende të tjera si Gjermania, po ofronin kushte shumë më joshëse.

Në mars të vitit të kaluar, në një intervistë për “Shëndet+”, Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, ka folur për këto shifra, si dhe për arsyet e këtij vendimi të mjekëve për tu larguar nga vendi. Sipas regjistrit që ky institucion disponon, në vitin 2016 kanë bërë kërkesë për të tërhequr një certifikatë që dëshmon sjellje të mirë të mjekut në punë 208 mjekë, çka nënkupton edhe aplikimin e tyre për t’u larguar nga vendi. “Nëse Fakultetit i Mjekësisë nxjerr 150 mjekë në vit, është po kaq numri i mjekëve që bëjnë kërkesë për t’u larguar çdo vit. Praktikisht, po na ikin të gjithë”, ka thënë doktor Fatmir Brahimaj për gazetën “Shëndet+”.

Ministria e Shëndetësisë, e vënë përballë këtij fakti ku spitalet rajonale po mbyllnin shërbimet për shkak të mungesës së mjekëve, ofroi bonusin me qëllim motivimin e mjekëve të Tiranës. Por sipas prof. Brahimajt ne heqim nga një xhep në tjetrin. “Nuk është se ne shtojmë numrin e mjekëve. Ideja është që të ndërtojmë politika që t’i mbajmë këtu mjekët. T’u përmirësojmë pagat, kushtet e punës, të sillen aparatura të reja, bashkëkohore. Nëse kam kushte të mira pune, kam pagë të mirë, kam mundësi të bëj të njëjtën gjë në të njëjtin nivel si të tjerët, nuk kam pse iki. Në Tiranë ka mangësi të vogla. Në rrethe ka mungesa të mëdha, sidomos të specialistëve. Ideja është që sidomos në rrethe, specialistët na mungojnë. Kemi zona të zbuluar pa mjekë. Problemi tjetër është që këta që na mbeten, mbingarkohen. Po u mbingarkove, do të bjerë cilësia e shërbimit. Nuk mund të arrijmë një respektim të standardit. Nuk është zgjidhje, sepse nuk e rrit numri. Ai ikën nga një spital i Tiranës dhe shkon diku tjetër. Këtu nuk janë tepër. Kjo është për ta joshur, por nuk është tepër” është shprehur Brahimaj.

Përballë këtyre shifrave janë vënë edhe ministrat e Shëndetësisë.

Në një intervistë të disa ditë më parë lidhur pikërisht me këtë problematikë Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është shprehur se nuk është se nuk ekziston si fenomen, por që nuk është shqetësim vetëm i Shqipërisë, “edhe mjekët italianë po shkojnë në Francë, edhe mjekët në Francë ikin në Amerikë. E rëndësishme është çfarë po bëjmë ne që mjekët të rrinë këtu. Po krijojmë kushte të mira pune, në muajin mars u rritën me 10% pagat. Turnet e natës janë dyfishuar dhe bonusi që është miratuar tregon përgjegjëshmërinë e qeverisë për të mbajtur mjekë. Njoh edhe raste të mjekëve që janë kthyer”.

Sa i takon shifrave të urdhrit të Mjekut, Manastirliu tha se: “Nuk është statistikë reale, por ka shumë mjekë që marrin certifikata. Ata ikin dhe specializohen jashtë vendit. Dhe atyre u duhet një certifikatë të sjelljes së mirë. Nuk do doja të ngrija një furtunë në gotë kur them se jemi duke pritur mjekë të rinj. Në total do të nxjerrim rreth 500 mije mjekë specialistë për 3 vite”.

Gjithashtu programi i bonusit si mënyrë motivimi është lancuar si një program i suksesshëm nga ministrja. “Kemi lancuar dy programe, për sa i përket bonusit financiar për mjekët deri në vlerë 2.5 milionë lekë të vjetra plus pagën e mjekut. U bëj thirrje të gjithë mjekëve specialistë të cilët kanë dëshirë për të ofruar shërbime në spitalet rajonale mund të diskutojmë për kontratën sipas kushteve të përcaktuara”.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*