Vuante prej vitesh nga sëmundja, humb jetën shefi i shërbimit onkologjik në QSUT

Një tjetër mjek i njohur është ndarë nga jeta orët e fundit për shkak se nuk i mbijetoi sëmundjes së rëndë që kishte prej vitesh. Mjeku onkolog Agim Sallaku me detyrë shef i shërbimit të Spitalit Onkologjik në QSUT, është ndarë nga jeta ditën e sotme.

Sallaku ishte i specializuar në tumoret e laringut, rectumit, gjinekologjike, gjirit, mushkërive etj. Mjeku u nda nga jeta në moshën 61-vjeçare.

Sallaku u rikthye në detyrë në muajin tetor të këtij viti, pas një mungese prej më shumë se 2 muajsh ku po kurohej jashtë vendit në gjendje të rëndë për jetën. Pas rikthimit të tij, u duk sikur shefi i onkologjikut e mundi sëmundjen e rëndë, por ndodhi e kundërta.

Ai la pas një karrierë të gjatë në fushën e mjekësisë si mjek onkolog. Sallaku është një ndër emrat e njohur në Shqipëri që më së shumti kanë kontribuuar për ngritjen e Spitalit Onkologjik në QSUT.

 

Biografi e shkurtër

Dr. Agim Sallaku, Prof.Asc., është lindur në Tiranë në vitin 1956. Shkollën 8-vjeçare dhe të mesme e ka ndjekur në këtë qytet ku edhe është diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë, si mjek i përgjithshëm, në vitin 1981.

Në Dhjetor të po këtij viti u emërua mjek pranë Departamentit të Radioterapisë në Shërbimin e Onkologjisë. Formimin profesional e ka vijuar me ndjekjen e studimeve pas universitare duke i bashkëngjitur dhe mbrojtjen e gjuhëve të huaja sipas kërkesave të kohës.

Në vitin 1990 mori detyrën e Shefit të Departamentit të Radioterapisë dhe prej vitit 1992 e në vazhdim ka kryer një sërë kursesh specializimi në fushën e radioterapisë onkologjike në shtete të ndryshme. Prof.Asc. Agim Sallaku mbante gradën Doktor i Shkencave prej vitit 1997 dhe titullin Profesor i Asociuar (2009), ndërkohë ishte në proces mbrojtjeje të titullit Profesor Doktor.

Kontributi i tij është i njohur në lëmin e literaturës mjekësore shqiptare si autor dhe bashkautor i shumë librave dhe teksteve mësimore në fushën e onkologjisë për studentë, postuniversitarë dhe mjekë, si dhe shumë artikujve shkencore në revista lokale dhe të huaja apo referateve në vend dhe jashtë tij.

Dr. Agim Sallaku, Prof.Asc., është dekoruar me Certifikatën e Mirënjohjes nga Ministria e Shëndetësisë me rastin e 100-Vjetorit të Pavarësisë dhe si një ndër figurat më aktive në fushën e onkologjisë shqiptare nën mbikqyrjen e tij janë organizuar mbi 40 konferenca shkencore.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*