Anna Konopka, një mjeke në shtetin Nju Hemshajër (New Hampshire) SHBA, refuzon të praktikojë atë që ajo e quan “mjekësi elektronike”. Ajo është 84-vjeçe dhe nuk e ka marrë asnjëherë iniciativën që të përdorë një kompjuter. Konopka i shkruan me stilolaps të gjitha dokumentet e saj dhe i mban në dosje, raporton CNN.
“Mjekësia elektronike është për sistemin, jo për pacientët”, tha 84-vjeçarja me origjinë nga Polonia. “Sistemi po shkatërron marrëdhëniet njerëzore mes mjekut dhe pacientit”, shton ajo.
Megjithatë, refuzimi i Konopkas për të mbajtur të dhënat elektronike ka luajtur një rol në vendimin e gjykatës, e cila mohoi kërkesën e saj për të rifituar licencën për të ushtruar mjekësinë.
Sipas CNN, Konopka e ka dorëzuar vullnetarisht licencën në tetor pas disa pretendimeve të pacientëve për mangësi në protokoll.
Pretendimet kundër Konopkas filluan në tetor 2014, kur një ankesë e sjellë në Bordin e Mjekësisë e akuzoi atë për “praktika të parregullta” në lidhje me një pacient. Pas një hetimi mbi pretendimin, bordi e qortoi Konopkan në maj.
Konopka ka thënë se pacientët preferojnë praktikën e saj në krahasim me spitalet e mëdha për shkak të vëmendjes individuale që ata marrin.
Mjekët në spitale shikojnë në kompjuter gjatë gjithë kohës, thotë Konopka dhe mbështeten në to në vend të intelektit të tyre, për diagnoza dhe udhëzime për të përshkruar medikamente. Ajo e quajti atë sistem të shtrenjtë dhe të dëmshëm për pacientët.
“Ata praktikojnë mjekësinë elektronike, unë praktikoj artin mjekësor”. “Unë e trajtoj pacientin dhe unë nuk do të komprometoj shëndetin ose jetën e pacientit për sistemin”, përfundoi ajo.
Në mënyrë që të rifitojë licencën, mjekja ka pranuar se do të përdorë një kompjuter për të plotësuar disa nevoja minimale në punë, por ka mohuar që të përdorë atë që ajo e quan “mjekësia elektronike”.
Përshtati në shqip: www.propacientit.al
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve