
E.S./Pro Pacientit
Të shumtë janë ata që e njohin Flamur Zehollarin. Thuajse çdo ditë, pasi nisen për në kopsht dhe shkollë 3 fëmijët e tij, me vështirësi Flamuri i drejtohet Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT). Me vete ka një qese me ilaçe alternative për të mjekuar plagët e rënda që i janë krijuar në këmbë si pasojë e diabetit. Zë një qoshe të trotuarit, heq këpucët dhe pret që dikush t’a ndihmojë me aq sa ka mundësi.
Flamuri vuan prej 13 vitesh nga diabeti. Në pamundësi ekonomike për të trajtuar sëmundjen, dëmtimet në trup i janë përshkallëzuar.
“Kam 3 fëmijë që po i rris i vetëm. Aktualisht jam 45 vjeç, por kam 13 vite që vuaj nga kjo sëmundje e rëndë. Në fillim nuk është së e kam ndier aq shumë, por me kalimin e kohës situata u përkeqësua. Këtu kërkoj lëmoshë duke pritur se dikush do të më ndihmojë”, tregon Zehollari për Pro Pacientit.
Mundësitë ekonomike të Flamurit janë të pakta. Siç tregon ai, familjen e mban me një ndihmë ekonomike dhe pak të ardhura që i mbledh duke kërkuar lëmoshë.
“40 mijë lekë të vjetra marr asistencë. Edhe unë nga halli kam dalë këtu. Sikur të kasha shëndetin do punoja, por s’kam çfarë bëj. Vetëm fëmijët duan 2-3 mijë lekë në ditë”, thotë ai.
Flamuri duket se është dorëzuar përballë sëmundjes së rëndë. Ai nuk ka më vullnet dhe as para që të mjekohet në mënyrë intensive, ndërsa qëndron me shpresën që dëmtimet në këmbë të mos përkeqësohen.
Ndërlikimet nga diabeti
Sipas mjekëve, diabeti është nga të paktat sëmundje që arrin të prekë dhe dëmtojë heshturazi thuajse të gjitha organet kryesore të trupit pa përjashtim dhe sidomos enët e gjakut. Diabeti jep ndërlikime si në enët e vogla të gjakut, në kapilarët e arteriet shumë të vogla, por jep edhe ndërlikime aterosklerotike në enët e mëdha të gjakut.
Pacientëve me diabet u ulet ndjeshmëria ndaj temperaturave, thonë mjekët. Atyre u dëmtohen reflekset dhe mund të çojë deri në shfaqjen e gangrenës në këmbë, e cila njihet me emrin Këmba Diabetike.
Dëmtimi ulceroz i këmbës diabetike mund të formohet në pjesën e këmbës dhe kavilies tek personat e prekur nga diabeti i tipit 1 apo 2 si në rastin e Flamur Zehollarit.
Më shumë se 25% e personave diabetikë kanë gjatë jetës probleme me këmbët. Mjekët tregojnë se ndodh që lezionet ulceroze të përkeqësohen dhe infektohen. Në këtë rast mund të shoqërohet edhe me prerjen e një gishti, një pjese të këmbës apo gjymtyrëve të poshtme.
Mosha më e prekur nga diabeti është grupmosha 40-65, por diabeti tip 2 po haset gjithnjë e më shpesh edhe në moshat 30-40 vjeç. Pikërisht këtu qëndron edhe rreziku i diabetit që po prek moshat që janë aktive për punë.
Në muajin nëntor (14) shënohet edhe Dita Botërore e Diabetit. Në Shqipëri, sipas statistikave, numri i rasteve të reja me diabet që hasen çdo vit është rreth 5000, ndërsa numri total i të prekurve në vend llogaritet të jetë mbi 70 mijë.
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve