Prezantohet projekt-buxheti për shëndetësinë për vitin 2018

73.8 miliardë  lekë parashikohet të marrë shëndetësia dhe mbrojtja sociale për vitin 2018.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë dhe Çështje e Sociale, se në buxhetin 2018 parashikohet një dyfishim i investimeve në Shëndetësi rreth 3 miliardë lekë bashkë me investimet e huaja. Sipas saj, “Buxheti i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për vitin 2018 parashikohet të jetë 73 miliardë e 80 milionë lekë ose 4.43% i Prodhimit të Brendshëm Bruto”.

I ndarë në dy fushat e aktivitetit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për Shëndetësinë do të financohen 49 miliardë e 294 milionë lekë ose 2.98% të PBB, ndërsa për Mbrojtjen Sociale do të financohen 23 miliardë 785 milionë e 750 mijë lekë.

Për vitin 2018 Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale parashikon të zbatojë edhe disa politika më të shënjestruara për shpërblimin e punës së mjekëve sidomos në ato zona ku kemi mungesë mjekësh. Për motivimin e dërgimit të mjekëve në këto zona Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, do të paguajë paga dhe bonuse motivuese, 200,000 deri 250,000 lekë në muaj.

Po kështu, sipas Manastirliut, pritet të ketë rritje pagash, duke filluar nga korriku 2018. Përfitues i rritjes deri 5% do të jenë rreth 18 mijë mjekë dhe infermierë.

Manastirliu ka prezantuar investimet në përmirësimin e infrastrukturës, ku sipas saj “vitin e ardhshëm do të financohet fillimi i punimeve për dy spitale të reja brenda QSUT-së: spitali i Sëmundjeve të Brendshme dhe Spitali i Kirurgjisë së Përgjithshme.

Krahas tyre, do të përfundojë ndërtimi i Maternitetit të Sarandës, rikonstruksioni i maternitetit të Korçës, spitalit të Pediatrisë në Durres, shërbimit të Urgjencës dhe imazherisë në Elbasan si dhe një sërë ndërhyrjesh infrastrukturore, ku 260 milionë lekë do t’i akordohen përmirësimit të infrastrukturës së qëndrave shëndetesore dhe ambulancave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*