
Kompanitë elektrolizën e shesin për të treguar nivelin e ndotjes, ujin e distiluar e nxjerrin të pijshëm.
ISHP: Uji i filtruar me ndotje 3 herë të lartë se uji i rrjetit
Fiks fare solli sot një rast flagrant të mashtrimit të konsumatorit me filtrat e ujit. Disa kompani që shesin filtra për të pastruar ujin e rrjetit nga mikrobet dhe metale e rënda, në të vërtetë kryejnë funksion të kundërt.
Fiks Fare solli rastin e tre kompanive filtrash uji që operojnë prej vitesh në Shqipëri, të cilat shesin impiante filtrimi për ujin e pijshëm. Këto filtra kanë çmime të ndryshme që mund të arrijnë deri në 1500 euro. Rezultati i ujit edhe pas përdorimit të këtyre filtrave është me ngarkesë të madhe mikrobiologjike dhe rënie të kripërave.
Pranë redaksisë së emisionit Fiks Fare kanë mbërritur ankesa se impiantet e filtrimit për të cilat kanë shpenzuar shumë, nuk e pastrojnë ujin nga mikrobet, por thjeshtë ulin nivelin e kripërave dhe mineraleve të domosdoshme për shëndetin e njeriut.
Pas këtyre informacioneve Fiks Fare nisi një investigim për të parë sesi këto kompani i matnin parametrat e ujit dhe pretendonin se me impiantet e tyre arrinin cilësinë maksimale të ujit që vjen nga rrjeti.
Për të vërtetuar cilësinë e matjes, gazetarët e Fiksit shkuan pranë këtyre kompanive me mostra uji të distiluar të blerë në një market. Uji i distiluar nuk ka asnjë vlerë shëndetësore, pasi i janë hequr kripërat dhe mineralet. Ai zakonisht gjen përdorim për pajisje shtëpiake, si hekur rrobash apo në bateritë e makinave, por kurrsesi për konsumim.

Gazetarët pasi shkuan në terren tek këto kompani dhe u njohën me çmimet e llojet e impianteve. Ata u kërkuan të bënin matjen e ujit të distiluar, duke pretenduar se ishte uji i filtruar nga një pajisje e thjeshtë dhe e lirë. Nga matjet me elektrolizë që bënë këto tre kompani, rezultoi se uji i distiluar ishte në parametra ideal për t’u konsumuar, ndërsa uji i rrjetit ishte i kontaminuar dhe në nivele shumë të larta të ndotjes. Ata pretendonin se me filtrat e pajisjeve që tregtonin, uji i rrjetit, kthehej në ujë të pijshëm, në parametra të njëjtë me ujin e distiluar.
Prova që ndoqi Fiks Fare, tregoi se këto impiante, jo vetëm që nuk matnin vlerat reale të ujit, por i hiqnin kripërat dhe mineralet të nevojshme për shëndetin. Kompanitë pretendonin se matnin ndotjen, por në fakt në të vërtet matnin vlerat e kripërave. Provën e bënin me një aparaturë që në të vërtet bën procesin e elektrolizës. Elektroliza paraqet procesin e zbërthimit të disa lëndëve apo të trupave në pjesët e tyre përbërëse me anë të rrymës elektrike. Këtë gjë bën edhe njëri prej punonjësve të njërës prej këtyre kompanive në shtëpinë e një prej ankuesve në Fiks Fare. Ai vendos në një gotë ujin e rrjetit, në tjetrën ujë të inbotiluar importi ( të një prej kompanive më me emër në Europë) dhe në tjetrin ujin e aparatit të filtrimit.
Vendos në gotat pajisjen që supozohet se bën matjen e pastërtisë së ujit. Bëhet procesi i elektrolizës dhe në të dyja gotat dalin në sipërfaqe kripërat, të cilat punonjësi i kompanisë së filtrave të ujit i quan ndotje të ujit, papastërti. Duke u munduar në këtë mënyrë të mashtrojë.
Fiksi për ta vërtetuar edhe më mirë këtë fenomen, të shoqëruar edhe nga një specialiste e ISHP marrin mostra uji në tre familje të cilat kishin të montuara impiante të filtrimit të ujit. Te tria familjet kishin impiante nga firma të ndryshme që operojnë në treg. Specialistja e ISHP së bashku me gazetarët morën mostra të ujit të pijshëm para dhe pas filtrimit pikërisht në familjet ku ishin të instaluara impiantet e filtrimit të ujit të tre kompanive ku kishin shkuar më parë bashkëpunëtorët e Fiks fare.
Në Institutin e Shëndetit Publik u bënë tre lloj analizash, bakteriologjike, fiziko kimike dhe metalet e rënda. Nga këto rezultoi se uji i rrjetit ishte i ndotur para filtrimit vetëm në një rast. Ajo që të binte në sy nga këto analiza, ishte se niveli i ndotjes me koliform bakteri rritej pas procesit të kalimit të ujit në impiantin e filtrimit. Madje në dy raste uji i rrjetit nuk kishte fare ndotje, por kur dilte nga impianti i filtrimit rezultonte i ndotur me koliform bakteria. Këtë e konfirmoi edhe specialistja e ISHP-së znj. Shkëlqime Poga./ TopChannel
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve