
Emanuel Smaka
Familjarët e të sëmurëve që paraqiten në Spitalin Universitar të Traumës janë të detyruar të bëjnë edhe shoqërimin e pacientëve me krevatin e institucionit deri në ambientet e repartit ku kurohen. Kjo problematikë është shfaqur edhe më parë në gazetën ‘Shëndet +’, megjithatë situata nuk ka njohur përmirësime.
Krevatët e spitalit nxirren jashtë ambienteve të brendshme dhe u jepen familjarëve në përdorim pa qenë i pranishëm stafi mjekësor. Familjarët pranojnë se nuk kanë informacionet e duhura mbi trajtimin që duhet t’i bëhet të sëmurit deri në mbërritjen e dhomës ku do të kurohet.
Kjo gjë ndodh në shumë raste pranojnë burimet pranë spitalit, ku krevatët nxirren jashtë ambienteve dhe përdoren nga persona praktikisht të paautorizuar. Përsëritja e këtij fenomeni ka sjellë shpeshherë edhe amortizimin e bazës materiale në këtë institucion.

Investimi ne Spitalin Universitar të Traumës, i papërfunduar
Edhe pse u premtua se do të përfundonin brenda muajit maj, punimet për rikonstruktimin e të gjithë hapësirës së brendshme në spitalin Universitar të Traumës akoma nuk janë përmbyllur. Gjatë inspektimeve të kryera në muajin mars të këtij viti, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj deklaroi se ambientet do të jenë funksionale brenda 2 muajsh.
“Në mjediset e farmacisë se vjetër do të bëjmë mjediset e recepsionit dhe sallën e ndenjës së familjarëve, që deri tani rrinë në dhomat e të sëmurëve. Të gjitha pajisjet janë të reja dhe jemi dhe në fazën e fillimit të instalimit të pajisjeve biomedikale. Këtu janë duke u investuar në këtë moment më shumë se 8 miliardë lekë dhe në ditët e para të majit gjithçka do të jetë funksionale”- u shpreh Beqaj gjatë muajit mars.
Ndërkohë, aktualisht shumë familjarë të pacientëve vijojnë të presin në korridore, dhomat e të sëmurëve apo shkallët e spitalit. Kjo për shkak se punimet në recepsion dhe sallën e ndenjes janë akoma në proces e sipër. Këto pjesë e rikonstruksionit për të cilat ministri deklaroi se do të ishin gati 5 muaj më parë, akoma nuk janë funksionale.
Fluksi i lartë i pacientëve krijon dita-ditës vështirësi, pritje të gjatë dhe rrëmujë në ambientet e spitalit. Duhet thënë se sipas statistikave zyrtare, numri mesatar i personave që pësojnë trauma dhe paraqiten për kurim çdo ditë pranë këtij spitali është 150.
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve