
Emanuel Smaka
Përdorimi masiv i duhanit vijon të mbetet një problem mjaft shqetësues në Shqipëri. Që pas vitit 2000, të dhënat zyrtare nga Instituti i Shënetit Publik kanë treguar një rritje graduale të numrit të përdoruesve. Sipas Raportit Shëndetësor të Popullatës, realizuar në vitin 2014, duhanpirja përfaqëson faktorin e tretë të rrezikut, përgjegjës për pjesën më të madhe të barrës së sëmundjeve në Shqipëri.
Ndërkohë, duhanin duket se gjithnjë e më tepër po e përdorin edhe fëmijët. Në studimin e kryer po të njëjtin vit, ka rezultuar se 4% e të miturve në Shqipëri kanë raportuar se përdorin rregullisht duhan.
Duhan të çdo lloji gjen kudo aktualisht në Shqipëri. Pavarësisht legjislacionit që ndalon shitjen e tij fëmijët nën moshën 18 vjeç, shpeshherë tregtarët të nxitur nga dëshira për fitime, e japin këtë produkt edhe për të miturit.
Në ambientet e spitaleve tona gjithashtu promovohet duhani. Në një pjesë të madhe të institucioneve spitalore, tregtarët ambulantë shesin në oborr, duke promovuar kështu një produkt të cilin shëndetësia po përpiqet që t’a shmangë duke evidentuar rreziqet që sjell. Edhe në spitalin më të madh në vend, QSUT (Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza) tregtarët ambulantë shesin këtë produkt në oborrin e godinës. E njëjta situatë na paraqitet edhe në ambiente spitalore të tjera në Tiranë e po ashtu në rrethe.
Paradoksal fakti se pikërisht në ambientin ku njerëzit kurohen, shpeshherë për problemet si pasojë e duhanpirjes, shitet duhan në mënyrë të pavarur.
Gjatë vitit 2014 qeveria i shpalli luftë përdorimit të duhanit përmes metodave dekurajuese, duke rritur ndjeshëm çmimin e tij. Megjithatë akoma nuk ka statistika nëse kjo ka ndikuar në uljen e sasisë së përdorimit.
Nga ekspertët duhani është konsideruar si një kërcënim për zhvillimin, pasi nga studimet e bëra së fundmi në rang botëror, rreth 6 milionë njerëz vdesin çdo vit nga përdorimi i duhanit, një shifër e cila parashikohet të rritet në më shumë se 8 milionë në vit deri në vitin 2030 nëse nuk do të ndërmerren nisma konkrete.
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve