Manastirliu e nis me premtimet e Beqajt. Por e “sfidon”, aksion për 100 ditë

Menjëherë pas marrjes së detyrës si Ministër i Shëndetësisë Ilir Beqaj nisi një aksion për pastrimin e ambjenteve të spitaleve, jo vetëm nga kioskat. Aksionin, Beqaj e ka nisur nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku është shoqëruar edhe nga Ministrja aktuale e Shëndetësisë, nën funksionin e drejtoreshës së QSUT, Ogerta Manastriliu.

“Që nga sot po zbatojmë atë që komunikuam me ju, planin e masave që kemi marrë për të çliruar mjediset e QSUT-së në funksion të shëndetit dhe të të sëmurëve. Ne kemi vendosur ti largojmë të gjithë. Por nga data 1-15 shtator ka pasur kontrata të reja që kanë qenë të panevojshme. Kjo zonë ka një master plan dhe ne do ta zbatojmë këtë gjë”, tha ish ministri Beqaj.

Ish-Ministri i Shëndetësisë, tha se “kemi folur me të gjithë, ata që kanë kontratat, atyre që u kanë mbaruar kontratat dhe kemi lënë që edhe atyre të mos u prishet malli që kanë.  Ky është një territori pa kontroll, hyjnë e dalin automjete të çdo natyre. Ata që e ruajnë këtë territor nuk e dinë se kush hyn apo del, është kthyer në parking për ata që jetojnë këtu”.

Ndërkohë, kujtojmë se  ish- Ministri Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, të asaj kohe Arben Ahmetaj urdhëroi anulimin e kontratave të qerasë në territorin e Spitalit Universitar te Traumës, Tiranë ( ish- Spitali Ushtarak)

Në njoftimin për shtyp të kësaj ministrie thuhej se “Ministri Ahmetaj ka urdhëruar të anulohen të gjitha kontratat e qerasë të lidhura mes subjekteve të treta për përdorimin e pasurisë shtetërore. Ky urdhër i Ministrit të Zvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes është dhënë me qëllim për implementimin e projekteve të përmirësimit të shërbimit spitalor.”

Pavarësisht dëshirës së mirë, aksioni me në krye ish-Ministrin e Shëndetësisë Beqaj dështoi me sukses, pasi territoret e Traumës dhe QSUT-së jo vetëm që nuk u çliruan nga subjektet e treta, por nuk arritën  të çlirohen as nga kioskat e qofteve që në hyrje të spitalit.

Ky premtim i Beqajt, për pastrim territori, pretendohej të arrihej në 300 ditët e para të qeverisjes. Ndërkohë që ministrja aktuale Manastirliu, duket se e “sfidon” atë: Ky aksion do të përfundojë brenda 100 ditëve të para të qeverisjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*