
Denisa Canameti
Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit (Nr. 61, datë 13.06.2017), zbulon se qeveria shqiptare nuk ka asnjë studim strategjik mbi koncesionet si dhe nuk ka një studim të mirëfilltë të tregut dhe propozime prej saj .
“Nga auditimi në Agjencinë e Trajtimit të Koncesioneve(ATRAKO), për zbatimin e ligjshmërisë në evidentimin e koncesioneve dhe Partneritetit Publik Privat, konstatohet se, deri më tani nga Këshilli i Ministrave nuk është hartuar e miratuar një dokument strategjik politikash për përcaktimin e sektorëve parësor për investime, të bazuara te partneriteti publik privat, të formave të preferuara të partneritetit publik privat dhe çështje të tjera që lidhen me kuadrin e përgjithshëm të politikave për koncesionet, kërkesë e nenit 8, pika 5 e ligjit nr. 125/2013 “Për koncesionet/PPP”, i ndryshuar.
Gjithashtu, konstatohet se edhe ministria përgjegjëse për ekonominë (MZHETTS), si institucioni përgjegjës, sipas nenit 9/1 të Ligjit të koncesioneve/ppp, nuk ka një studim të mirëfilltë të tregut dhe propozime prej saj edhe pse duhet të orientojë dhe harmonizojë veprimtaritë për zhvillimin e koncesioneve/ppp.
Nga auditimi konstatohet se, nga strukturat e shtetit (Autoriteti Kontraktor) nuk ka një bashkëpunim të mirë në drejtim të identifikimit të projekteve, publikimit dhe monitorimit të tyre dhe këtu kemi parasysh jo vetëm veprimtarinë para Marsit 2016 (kohë kur ka dalë VKM nr. 211, datë 16.03.2016) por për të gjithë periudhën e mëparshme. Kjo punë do të kishte bërë të mundur realizimin jo vetëm të një regjistri të detajuar dhe të një monitorimi korrekt, por Qeveria shqiptare me eksperiencën e deritanishme në këtë fushë (tepër të debatuar) duhet të kishte tashmë një strategji të detajuar politikash në fushën e koncesioneve/ppp. ATRAKO në këtë veprimtari është vetëm një hallkë në këtë zinxhir institucionesh që mbulojnë këtë proces, e për pasojë dhe veprimtaria e saj është fragmentare duke pasur parasysh dhe varësinë institucionale të saj nga MZHETTS. ( Trajtuar më hollësisht në pikën V të Raportit Përfundimtar të Auditimit)”, thuhet në raportin e KLSH-së.
Për këtë rekomandojmë: Në kuadër të hartimit të strategjisë së politikave dhe përcaktimin e sektorëve parësorë të zhvillimit të koncesioneve/ppp dhe në kuadër të miratimit (në proces) të Projekt Vendimit të KM “Për funksionimin e ATRAKO” nga ana e MZHETTS, ky institucion duhet të realizojë, të rivlerësojë, e të kërkojë rregullimin e varësisë institucionale dhe kompetencat funksionale të këtij institucioni, me qëllim realizimin sa më të mirë të misionit për të cilën është krijuar duke parashikuar që ATRAKO të funksionojë në rolin e një agjencie monitorimi duke pasur varësi nga Kryeministri.
*Qeveria shqiptare, deri më tani, ka autorizuar 311 milionë euro pagesa për katër koncesione për 10 vitet në vijim.
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve