
Premtimet për të çuar shërbimin mjekësor falas deri në “kullën” më të largët skajore të vendit po zëvendësohen me projektet për ta hequr këtë shërbim edhe nga zonat rurale, duke e përqendruar atë në ambulancat dhe spitalet e qyteteve e të rretheve.
Sipas “Telegraf”, thuhet se kryeministri ka në tavolinë një projekt për të pakësuar numrin e qendrave mjekësore në ish-komuna. Sipas një skeme të re, afro 60% e qendrave të banuara në zonat rurale, të cilat deri tani e kanë nga një qendër shërbimi mjekësor, nuk do të kenë më.
Në gjithë Shqipërinë, projekti parashikon të mbyll 163 qendra të tilla mjekësore të grup-fshatrave ose fshatrave të mëdha! Shkak është varfëria buxhetore e shtetit për të përballuar pagat dhe shpenzimet mjekësore për këto qendra. Thuhet se për çdo 2 komuna në kufi me njëra tjetrën, do të ketë vetëm nga 1 mjek dhe 1 infermier, të cilët duhet të përballojnë të gjithë nevojat e zonave, gjë që nuk mund të realizohet as me shkuarje 1 herë në javë në çdo fshat a lagje të banuar fshatrash./ProPacientit.com
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve