Mos prit ditën botërore. Nevojë për gjak ka çdo ditë

 

Dhurimi i gjakut është një akt human i cili shpëton jetë njerëzish. Gjaku i sigurt shpëton jetë dhe përmirëson shëndetin, por shumë pacientë që iu nevojitet transfusion gjaku nuk e gjejnë atë në kohë dhe të sigurt. Gjaku, përveçse një përbërës i rëndësishëm i trupit tonë, është edhe një lëndë kuruese e cila nuk mund të prodhohet nga industria farmaceutike, ndaj i vetmi burim i tij është dhurimi i gjakut në mënyrë vullnetare dhe të rregullt nga njerëzit dhe pa pagesë. Mungesa e gjakut ka çuar në vdekje, si dhe në vuajtje nga sëmundjet e ndryshme.

  1. Rreth 0.9% e popullatës shqiptare me 2.8 milionë banorë (sipas Census 2011) dhuron gjak.
  2. Ne kemi rreth 9 dhurime gjaku për 1000 banorë. Nevojat e vendit për gjak janë të mjaftueshme me 20 dhurime gjaku për 1000 banorë.
  3. Vetëm në Tiranë gjatë një jave, në spital përdoren rreth 540 njësi gjaku, por nevojat janë më të mëdha.
  4. Për pacientët me talasemi përdoren aktualisht rreth 110 njësi gjaku në javë.
  5. Në pacientët me trauma dhe aksidente automobilistike të ndryshme përdoren afërsisht 30 njësi gjaku në javë.
  6. Në sëmundjet e brendshme dhe sëmundjet e gjakut përdoren rreth 70 njësi gjaku në javë.
  7. Në pacientët kirurgjikë përdoren rreth 150 njësi gjaku në javë.
  8. Në të tjera patologji si tumore, hemorragji gjatë lindjes etj, përdoren rreth 180 njësi gjaku në javë.

Dhurimi i gjakut nevojitet për:

Gratë me komplikacione gjatë shtatzënisë, si dhe hemorragji përpara, gjatë dhe pas lindjes.

Fëmijët me anemi të theksuar që shpesh vijnë nga malaria dhe kequshqyerja.

Njerëzit të cilët pësojnë aksidente dhe u nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjike, për pacientët me kancer, si dhe në shumë ndërhyrje të tjera kirurgjike për sëmundje të ndryshme.

Gjithashtu, gjaku është i nevojshëm për njerëzit të cilët janë të sëmurë dhe duan në mënyrë të rregullt transfuzione gjaku, si pacientët me talasemi, me sëmundjen drepanocitare të gjakut, me hemofili, leuçemi etj.

Kush mund të dhurojë gjak

Mund të bëhet dhurues çdo person i cili gëzon shëndet të mirë, peshon  50 kg e lart dhe ka moshën 18 – 60 vjeç.

Kush nuk mund të dhurojë gjak

Përjashtim të përhershëm nga dhurimi i gjakut bëjnë individët që kanë :

Sëmundje kardiovaskulare

Sëmundje infektive si (Hepatit viral B, C, TBC, HIV, Sifiliz)

Kryer transplante

Diabet insulinovartë

Sëmundje autoimune

Tumore malinje

Epilepsi

Sjellje seksuale me rrezik të madh infektimi, si dhe përdoruesit e alkoolit dhe drogës.

Përjashtim të përkohshëm nga dhurimi i gjakut bëjnë individët që kanë:

Marrë antibiotik ose sapo kanë mbaruar kurën 7 ditore me antibiotik.

Kollë dhe dhimbje fyti.

Kryer një ndërhyrje kirurgjike brenda vitit.

Gratë gjatë shtatzënisë dhe një vit pasi kanë lindur, si dhe gjatë ciklit menstrual.

Bërë tatuazhe apo pircinge në 4 muajt e fundit.

Marrë transfuzione gjaku gjatë një trajtimi mjekësor apo ndërhyrjeje kirurgjike.

Bërë një vaksinë.

Kryer marrëdhënie seksuale të rastësishme.

Alergji të ndryshme në fazën akute.

Kryer ekzaminime endoskopike.

Sa shpesh mund të dhurojmë gjak

Të rinjtë që kanë mbushur moshën 17 vjeç dhe peshojnë 50 kg dhurojnë 2 herë në vit, pra çdo gjashtë muaj (me miratimin e prindërve).

Burrat mund të dhurojnë 4 herë gjak gjatë një viti, me një diferencë prej 12 javësh midis dy dhurimeve të gjakut.

Gratë në moshën e pjellorisë këshillohet të dhurojnë gjak 2 herë në vit, pra çdo gjashtë muaj.

Sa gjak dhurohet

Sasia maksimale e gjakut të marrë sipas ligjit në fuqi për secilin dhurues është 450ml (±10%).

Marrja e gjakut zgjat rreth 5 deri 8 min, dhe kryhet me materiale mjekësore sterile dhe njëpërdorimshe. Sasia e gjakut të dhuruar zëvendësohet brenda pak orëve, ndërsa duhen rreth 20 ditë që të rifitohet numri normal i qelizave.

Çfarë duhet bërë para dhe pasi dhurohet gjak

Ditën që do të dhuroni gjak hani një mëngjes të lehtë dhe pini sa më shumë lëngje, si para ashtu edhe pas dhurimit të gjakut. Këshillohet të mos përdoren pije alkoolike dhe duhan. Mos kryeni aktivitete fizike të forta. Përpara dhurimit të gjakut mjeku do të bëjë kontrollin dhe vlerësimin klinik të dhuruesit (peshën, rrahjet e zemrës, tensionin, hemoglobinën), dhe do të kryej një bashkëbisedim të shkurtër me qëllim përpilimin e një pyetësori, gjë që përcakton aftësinë dhe pranimin për dhurim të gjakut.

Çfarë përfitoj unë nëse dhuroj gjak

Çdo dhuruesi gjaku përfiton këto testime

Gjak komplet

Transaminazat ALT

Konfirmimin e grupit të gjakut dhe Rh

Testim për Hepatit B, C, HIV, Sifiliz dhe Citomegalovirus (CMV)

Nëse je dhurues periodik, përveç testimeve të sipërpërmendura kryhen edhe disa ekzaminime shtesë si:

Glicemia

Kreatinemia

Proteinemia

Kolesterolemia

Trigliceridemia

Feritinemia

Ku dhurohet gjaku

Ne kemi Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut dhe 4 Banka të dhurimit të gjakut në Tiranë pranë spitalevë të mëdha, si dhe njësitë për mbledhjen e Gjakut në 26 rrethe të vendit.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*