
Kryeministri Edi Rama u kërkon të gjithë drejtorëve aktualë të spitaleve rajonalë e bashkiakë të japin dorëheqjen si përgjegjës kryesorë moralë për keqmenaxhimin dhe papastërtitë e institucioneve që ata drejtojnë.
Në këtë kërkesë përjashtohen tre spitalet e Tiranës- “Shefqet Ndroqi”, Spitali “Nene Tereza” dhe Spitali i Traumës, “drejtuesve të të cilëve nuk kam pse t’i them jepni dorëheqjen sepse kanë dëshmuar se kanë sy veshë e duar”
Pasditen e sotme Kryeministri mblodhi të gjithë drejtorët në një takim në kryeministri për t’i kritikuar për keqmenaxhimin dhe mos mbajtjen pastër të ambienteve spitalore që ata menaxhojnë.
Edi Rama: Niveli i menaxhimit i spitaleve tona është i papranueshëm. Mjekët kanë përgjegjësinë e tyre por është detyra e menaxhimit t’i motivojë dhe të bëjë që ata të gjënden në kohën e duhur dhe të mos dalin me deklarata shtypi keqardhjeje kur sulmohet një mjek që është një fenomen barbarie, por që ne do ta shohim si shprehje e një energjie negative që akumulohet për shkak të keqmenaxhimit.
Spitalet tona mund të mos kenë infrastrukturën që synohet, por ama asgjë nuk e justifikon dhe e kapërcen dot ndjenjën e turpit për shtetin që spitalet të mos jenë shembuj pastërtie e higjiene. Kjo është A-ja për çdo mjedis të shërbimit publik , ndërsa për spitalet është A-ja pas të cilës të gjithë gërmat e tjera humbasin kuptimin.
Drejtorë spitalesh pis.. Pastëria nuk kanë nevojë as për para, as për infrastrukturë as për plane. Tek niveli i higjienës, pastërtisë, apo gadishmërisë së personelit jemi jo 27 vjet por 270 vjet prapa.
Doreheqje me mirekuptim- Për këtë Rama kërkoi me mirëkuptim dorëheqjen që nesër të secilit prej drejtorëve dhe objektivi i së ardhmes eshte autonomia.
Edi Rama: ” Prandaj unë dua që ju të mirëkuptoni të jepni dorëheqjen. Të gjithë drejtuesit e spitaleve rajonale e bashkiake. Është e qartë që largimi juaj menjëherë nesër nga detyra nuk është zgjidhja e këtij problemi por vetëm fillimi i zgjidhjes. Objektivi është autonomia spitalore, por çfarë autonomie spitalore mund të kemi ne në realitet nëse nuk kemi menaxhim të spitaleve. Spitalet janë ndërmarrje në fund të ditës, nuk janë stalla ku veterinerët ca lopë i shohin e ca jo, sipas humorit të tyre. Nuk drejtohen siç i bihet firzamonikës me vesh.
Merrni pergjegjesine morale –Kryeministri tha: Duke shpresuar në mirëkuptimin e drejtuesve të spitaleve për të marrë përsipër përgjegjësinë morale për gjithçka ka mungur dhe mungon, edhe si kontribut për rritjen e vetëdijes se kushdo që të marrë përsipër të drejtojë spitalet këto duhet ti ketë A e punës së vet. Unë patjetër inkurajoj këdo që mendon se çka po them unë nuk qëndron që të konkurojë për të provuar që mund të jetë një menaxher i mirë në 4 vitet e ardhshme në sptalet rajonale e bashkiake.
Në shtator konkursi- Më pas Rama deklaroi se në shtator me t’u krijuar qeveria, vendimi i parë që do të marrë ministri i Shëndetësisë është hapja e konkursit për stafin drejtues të çdo spitali.
Edi Rama: ” Ne i kemi të gjitha mundësitë që të dalim nga një fazë drejtimi pa sy, pa zemër, pa duar e spitaleve. I kemi të gjitha mundësitë që pavarësisht mangësive, varfërisë, të mos kemi pisllëk, dryshk, rrënim, ku hyn në territoret e spitaleve. Dhe mbi të gjitha të kemi gadishmërinë e personelit për aq kohë sa ata janë në krye të detyrës. Në shtator me tu krijuar qeveria, vendimi i parë që do të marrë Ministri i Shëndetësisë do të jetë hapja e konkursit publik për të gjithë ekipin drejtues të çdo spitali”/ Oranews
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve