Një insekt i rrallë tremb pushuesit, kërkohet ndihma e ekspertëve të huaj

Riselma Telo

Kohët e fundit po kthehet në makth për pushuesit në zonat bregdetare një lloj insekti i quajtur simulid, që fillimisht u deklarua se ishte një lloj i ri mushkonje. Por, në ndryshim nga mushkonjat, që zhvillohen në ujërat e ndenjura, ky lloj insekti rritet në ujërat e rrjedhshme. Këto lloje insektesh ushqehen zakonisht nga gjaku i gjitarëve, përfshirë edhe atë të njeriut. Simulidet janë shumë të vogla, të zeza ose gri dhe zakonisht fluturojnë në tufë. Mund të mos i dallosh me sy të lirë, por ndjen vetëm kur të pickojnë dhe shkaktojnë kruajtje.

Përveçse janë shumë të bezdisshme, në varësi të njerëzve që pickojnë, këto insekte shkaktojnë edhe reaksione alergjike, ku kryesisht tek fëmijët dhe gratë shtatzëna, reaksionet mund të zgjasin deri në 3 javë. Reaksioni alergjik i shkaktuar nga pickimi i simulidit nuk shfaqet në moment, por një ditë më pas.

Megjithatë, entemologia Enkelejda Dikolli, punonjëse pranë Institutit të Shëndetit Publik, sqaron për “ProPacientit” se kjo situatë nuk ka vend për panik. Sipas saj, ky është një insekt që ekziston edhe në shtete të tjera, ndërsa në Shqipëri është hasur kryesisht në zonat bregdetare si: Shirok, Lezhë, Orikum, Divjakë, Butrint etj.

“ProPacientit” mëson se duke pasur një mungesë ekspertize në vendin tonë, është kërkuar ndihma e një eksperteje të huaj, e cila po merret me vëzhgimin dhe ekzaminimin e këtij lloj insekti./ ProPacientit.com

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*