
Bisedoi: Elona Tereziu
Nuk duhet të shqetësohemi vetëm për bukën me ngjyrues dhe nivelin e ulët të proteinave që gjendet në të. Një “vrasës” për konsumatorin janë edhe kushtet higjienosanitare të furrave të bukës. Vetë mjekët ngrenë alarmin duke deklaruar që nëpërmjet kontaminimit buka bëhet përcjellës për një sërë sëmundjesh, virusesh e infeksionesh, deri në shpërthime epidemish në popullatë, ndonëse asnjëherë nuk gjendet shkaku.
Lidhur mbi këtë çështje gazeta Shëndet + i është drejtuar AKU-s (Autoriteti Kombëtar i Ushqimit) si i vetmi institucion kontrollues, ndërkohë që ka pyetur edhe mjekë specialistë lidhur me rrezikshmërinë që paraqesin subjekte të tilla për shëndetin e njeriut.

Infeksionistja Ilda Xhelili: “Shitësit mbrojnë veten, jo konsumatorin”
Për gazetën “Shëndet+” infeksionistja Ilda Xhelili, mjeke në poliklinikën e specialiteteve nr.1, në Tiranë thotë se jo vetëm në furrat e bukës, por në të gjithë rrjetin ushqimor duhet të ketë një kujdes maksimal përsa i përket higjienës së personelit që punon aty në lidhje me transmetimin e sëmundjeve infektive.
Ajo sqaron pesë pika ku duhet të tregohet kujdes në rrjetin ushqimor, teksa shprehet:
E para: Të gjithë punonjësit (në mënyrë të veçantë ata që punojnë në rrjetin ushqimor) që në fillim të kontratës së punës duhet të paraqesin raportin e kontrollit shëndetësor. Ky raport merret nga një komision mjekësh dhe vetëm në rast se individi rezulton i shëndoshë, në mënyrë të veçantë për problemet infektive, atëherë mund të punojë në këtë rrjet. Është kusht i panegociueshëm, pasi këta persona mund të bëhen transmetues dhe burim infeksionesh për njerëzit e shëndoshë.
E dyta, personeli veç veshjes së përshtatshme dhe mbështjelljes së flokëve me kapele, duhet patjetër të jetë i pajisur me maskë, sepse një nga rrugët kryesore të infektimit për sëmundje të veçanta, janë ato respiratore. Transmetimi i këtyre sëmundjeve bëhet nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes, sekrecioneve e spërklave të pështymës që mund të përhapen përmes kollës ose tështimës.
E treta, duart. Një ndër masat më të thjeshta, por që parandalon shumë sëmundje është larja e duarve.
E katërta, thonjtë duhet të jenë të prerë mirë, sepse rrënjët e thonjve janë mbledhës mikrobesh të ndryshme.
E pesta, dorezat duhet të përdoren patjetër edhe gjatë gatimit, të jenë njëpërdorimshme as që diskutohet, por dhe të ndërrohen disa herë gjatë ditës.
Mjekja Xhelili thotë se paraja është burimi i të gjitha infeksioneve sidomos për esherika kolin dhe enterokokët që janë me rrugë fekale –urinare. Megjithatë, sipas saj, në pjesën më të madhe të furrave të bukës tek ne (me disa përjashtime) me të njëjtat duar që shërbehet, me të njëjtat merren edhe paratë.
Ajo shpjegon se ka disa shitës që përdorin doreza, por është parë që po me ato doreza preken si buka, edhe paratë. “Pra, edhe pse shitësit përdorin dorezs, ka një mbivendosje qëllimesh ku në vend që të “mbrojnë” bukën, mbrojnë duart e tyre nga mikrobet”, shprehet ajo. “Çdo shërbim ushqimor duhet të ketë arkë me vete, ku një person të merret vetëm me shitjen dhe tjetri vetëm me pagesën”.

Infeksionistja Alma Hoxha: Shqiptarët nuk kanë frikë nga sëmundjet ngjitëse!
Infeksionistja Alma Hoxha, mjeke pranë Poliklinikës së Specialiteteve nr.3, shpjegon gjithashtu problemin me prekjen e parave.
“Paraja është një nga gjërat më të pista që prek njeriu. Sigurisht, njeriu e prek me kënaqësi, por paraja është një nga përhapësit më të mëdhenjë të infeksioneve, nëse nuk jemi të kujdesshëm. Paraja mund të na transmetojë baktere (e.coli), viruse, parazitë (lambia, askaridet, oskjuret) etj. Të gjitha sëmundjet virusale, duke filluar që nga gripi deri tek sëmundjet e lëkurës siç është skabja mund të transmetohen përmes parasë. Epidemitë që bien në popull, tifoja, salmonela etj, mjafton që personi të të vejë në banjë (duke mos qenë i kujdesshëm) të kapë paranë dhe e përhap sëmundjen tek të gjithë. Janë sëmundje që duhet pasur kujdes, pasi rrezikojnë dhe jetën, megjithatë asnjëri nga ne nuk e gjen dot burimin.
“Nëse do të kthehemi disa vite më pas, do të kujtojmë se arkëtarët punonin me doreza mbrojtëse gjer në krah. Tani nuk e di se si funksionon, por mund të themi me bindje se personat që punojnë në banka (me paratë) janë dhe pacientët tanë më të shpeshtë.
“Çudia më e madhe tek ne është se shqiptarët nuk kanë frikë nga sëmundjet ngjitëse. Madje rëndom kemi dhe një shprehje “shëndet të bëhet”. Megjithatë kjo nuk është vetëm çështje ndërgjegjësimi, është se si jemi edukuar. Në çdo vend, rrugë, park e stacion urbani shikojmë nëna që blejnë dhe u japin fëmijëve të hanë, kur minimalja që duhet bërë, është larja e duarve.
“Megjithatë edhe rregullat duhet të jenë më të rrepta, por dhe shteti të ketë më tepër kontrolle. Ashtu sikurse ndodh në çdo vend të botës, në momentin që konstatohet shkelje, gjoba të jetë aq e madhe saqë shitësit t’i lihen vetëm dy mundësi: ose të zbatojë rregullat, ose ta mbyllë si biznes.
Duke marrë parasysh rrezikshmërinë, unë do të thoja, mos blini nëse ju shërbejnë pa dorezë, ose më së paku vërjani në dukje”.

Përgjigjja zyrtare nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit
Referuar alarmit të ngritur nga mjekët, “Shëndet +” iu drejtua me një kërkesë zyrtare Autoritetit Kombëtar të Ushqimit lidhur me standardet, kontrollet dhe penalitetet mbi subjektet ushqimore që nuk zbatojnë rregullat e higjienës, ku AKU thekson:
“Është detyrë funksionale e Institucionit tonë dhe e çdo inspektori, kontrolli periodik sipas “Planit të miratuar vjetor të inspektimeve”, e çdo operatori të biznesit ushqimor (në rastin kokret i çdo njësie prodhimi dhe tregtimi buke) për zbatimin e legjislacionit në fuqi, me qëllim arritjen dhe ruajtjen e standardeve optimale për t’i siguruar konsumatorit një produkt ushqimor të sigurt.”
Ndërkohë, referuar masave që ndërmerren në rast konstatimi të shkeljeve, sipas AKU-t parashikohet:
“Në rastet kur gjatë kontrolleve zyrtare, nga inspektorët tanë janë konstatuar shkelje të kërkesave të legjislacionit në fuqi, nga ana e AKU-së janë marrë masa rregullatore si dhe masat përkatëse administrative: “Paralajmërim” (kur konstatohen shkelje të një rëndësi të vogël”, “Gjobë” dhe deri në “Ndërprerje të aktivitetit” (kur konstohen shkelje serioze të cilat rrezikojnë kompromentimin e sigurisë ushqimore), siç parashikohet në ligj”./ Shendeti.com.al
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve