Shëmtoi pacienten nga operacioni plastik, mjeku dënohet me 12 muaj burg

Gjykata e Tiranës ka dhënë sot dënimin me 12 muaj burg për mjekun Hakan Gundogan, i cili është akuzuar për mjekim të pakujdesshëm me pasojë shëmtimin e trupit të një gruaje.

Shtetasi turk Hakan Gundogan ka punuar si mjek estetist në Spitalin Amerikan. Që në vitin 2015 ai është paditur nga një paciente nga Fieri, pasi pretendon se kishte kërkuar operacion estetik në gjoks dhe në bark, por mjekët në vend që ta zbukuronin i kanë shkaktuar dëmtime dhe plagë, mes tyre edhe të vendosjes në mënyrën e papërshtatshme të silikonit.

Bashkë me mjekun turk ka qenë nën gjykim edhe mjekja Rezarta Kapa, ku burime pranë ‘ProPacientit’ bëjnë me dije se gjykata e ka shpallur të pafajshme.

Gruaja, që aktualisht jeton në Itali, kishte kërkuar nëpërmjet Prokurorisë së Tiranës që të dëmshpërblehej  me 12 milionë lekë për dëmin e shkaktuar. Ajo kishte paguar plot 7 mijë euro për ndërhyrjen kirurgjikale e cila është kryer në mënyrë të gabuar.

Ndërkohë, mjeku turk që pas kryerjes së ndërhyrjes është zhdukur pa asnjë gjurmë.

Pacientja nga Fieri mësohet se ka kryer ekzaminime në Itali por edhe një ekspertizë në Shqipëri që ka gjetur se ndërhyrja në barkun dhe gjoksin e saj ka qenë e pakujdesshme dhe e gabuar./ ProPacientit.com

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*