Bisedoi: Denisa Canameti
“Në Qendrën Shëndetësore të Kamzës, bëjmë çdo ditë analiza mbi normë, nuk mund t’i kthejmë pacientët”. Kështu shprehet laborantja e kësaj qendre Shëndetësore, Flora Ahmataj.
Është e pamundur që njerëzit e këtij qyteti të mos e njohin Florën, pasi janë të rrallë ata që nuk kanë pasur qoftë edhe një herë të vetme nevojën për të bërë analiza. Siç thotë edhe Flora “përgjithësisht njerëzit në Kamëz kanë shumë probleme shëndetësore”.
Laboratori i kësaj Qendre Shëndetësore pret një numër të madh pacientësh. Flora ka mbaruar kurs 1 vjeçar pas shkollës së mesme dhe më pas ka bërë Fakultetin për “Teknik i Lartë Laboratori”.
E kontaktuar nga “Shëndet+”, ajo rrëfen disa gjëra për përditshmërinë e saj në punë që nuk ka të bëjë me një proces mekanik pranimi dhe analizimi: “Pjesa më e madhe e punës është komunikim me njerëzit. Jemi të detyruar që t’i këshillojmë dhe informojmë për gjithçka”, shprehet Flora.
Flora, kur hapet laboratori?
Laboratori hapet në 8 të mëngjesit. Pranimi i analizave bëhet deri në orën 9-9:30, përveç urgjencave. Urgjencat bëhen në çdo kohë. Unë punoj në një laborator klinik që bëhen analizat e gjakut, urinës të sekrecioneve vaginale dhe feçe parazit. Këto analiza bëhen brenda laboratorit tonë.
Sa i zbatojnë pacientët këto orare?
Jo të gjithë pacientët janë të mirinformuar për kohën dhe zgjatjen e kohës së sjelljes së analizës në laborator. E mira është që analizat të vijnë në laborator të paktën, brenda një ore. Por jo të gjithë janë të informuar për këtë. Edhe kur përpiqesh që të flasësh me pacientin dhe t’ia shpjegosh rëndësinë e zbatimit të orareve, është e vështirë të na kuptojnë.
Po për mënyrën sesi merret një analizë sa të informuar janë pacientët dhe sa i informoni ju?
Kur pranoj një analizë urine, e pyes gjithmonë atë që e sjell për detajet. Nëse pacienti respekton kushtet e marrjes së analizës dhe ruajtjes së saj, atëherë edhe ne garantojmë cilësi pune.
Cilat janë kushtet e marrjes së një analize urine? Po të një analize gjaku?
Për analizën rutinë të urinës preferohet të merret urina e parë e mëngjesit. Sidoqoftë, varësisht nga kërkesa e mjekut analiza e urinës mund të bëhet në çfarëdo kohe dhe pa marrë parasysh se është ushqyer apo jo pacienti. Fillimisht pjesa e parë e urinës derdhet në mënyrë që të shpëlahet uretra dhe merret pjesa e mesme urinës. Urina duhet të grumbullohet në një gotë sterile dhe për analizën rutinë të urinës mjaftojnë 20 – 30 ml urinë. Koha nga urinimi e deri te kryerja e analizës nuk duhet të kalojë më gjatë se 2 orë. Higjiena para marrjes së urinës duhet të jetë maksimale.
Ndërsa, marrja e gjakut për të realizuar analizat e gjakut zakonisht merret nga gjaku venoz. Vendi ku analizohet është në pjesën e brendshme të parakrahut, më e shpeshta te të rriturit. Por te fëmijët është pak më e vështirë ndaj dhe përdoret pjesa e sipërme e pëllëmbës, aty ku gjendet një venë ku ne mund të marrim gjak, pasi këto janë vena lehtësisht të kapura nga një age apo vigon. Kurse gjaku në gisht, themi ne shpimi në gisht, merret me shpim në pjesën e mollëzës dhe shpohen kapilarët periferikë dhe gjaku del e rrjedh në formën e pikave. Kjo lloj analize përdoret edhe për gjakun komplet, kur ne duhet ta realizojmë shpejt për të bërë një grup gjaku shpejt, për të matur një glicemi.
Nëse nuk merret në mënyrë të rregullt a janë të diksutueshme rezultatet? Dhe a është ky shkak i mospërputhjes së rezultateve të analizave kur pacientët i përsërisin për siguri në privat?
Po, ndodh. Prandaj gjithçka ka kohën e vet dhe metodën e vet. Asgjë nuk është e rastësishme. Çdo këshillë që ne japim lidhet me rëndësinë e rezultateve në fund.
A vijnë shpesh pacientët për kontrolle rutinë apo e përgjithshmja vijnë kur simptomat fillojnë dhe bëhen problem?
Të rrallë janë pacientët që vijnë për kontrolle rutinë. Mund të them që vetëm 10% e rasteve mund të vijnë të bëjnë analiza në mënyrë periodike.
Burrat apo gratë, cilat janë më të prirur për të bërë analiza?
Gratë kanë prirjen më të madhe për t’i kushtuar rëndësi shëndetit. Vijnë të gjitha moshat. Por më të shpeshtat janë gratë shtatzëna, ato që nisin aktivitetin seksual apo gratë që hyjnë në periudhën e menopauzës.
A ndodh që të vijnë gratë me analizat e burrave, meqë këta të fundit shfaqen si më pak të interesuarit për shëndetin?
Po, vijnë dhe thonë “Ia mbusha mendjen me zor burrit për të bërë analizat”.
Cila është marrëdhënia me pacientët?
Puna më e madhe është komunikimi me pacientët. Shpesh komunikimi me ta bëhet i vështirë. Por parimi ynë është që pacienti ka gjithmonë të drejtë. Unë kam vite që banoj në Kamëz dhe njerëzit më njohin. Ne bëjmë analiza mbi normën. Nuk mund t’i kthejmë mbrapsht dhe as nuk na mirëkuptojnë. Ne punojmë 6 orë në ditë, sepse punojmë dhe të shtunën.
A ndodh që nuk arrini t’i analizoni të gjitha analizat dhe të lini edhe për të nesërmen?
Absolutisht jo. Nuk do të kishte kuptim, nuk do të kishte vlerë. Në laboratoret klinike nuk bëhet fjalë. Jemi dy laborante. Kemi një bashkëpunim të shkëlqyer. Ajo ka mbi 20 vite që punon në Kamëz.
Cilat janë porositë që të kanë dhënë kur ke nisur punë për herë të parë?
Sjellja e mirë dhe mirëkuptimi me popullin.
A është Kamza “e sëmurë”?
Përgjithësisht, njerëzit në Kamëz kanë shumë probleme shëndetësore.