Pacientët e dializës me hepatit C. Dyshohet se edhe personeli mjekësor është i infektuar

Në 2012-n shërbimi i nefrologjisë në QSUT-së doli me disa të dhëna për pacientët e dializës. Në saj të një studimi të kryer nga një mjeke me qëllim mbrojtjen e gradës “Doktor” rezultoi se numri i pacientëve të dializës të infektuar me hepatit C është i lartë. Ky fakt është njohur dhe pranuar edhe nga specialistët e shëndetit të  cilët ngritën gjendje alarmi në atë kohë. Ata thanë nuk janë vetëm pacientët por dyshohej edhe për mjekë të infektuar.

Megjithatë që prej 2012-s e deri më sot nuk ka asnjë studim serioz lidhur me këtë çështje.

 

Të dhënat që u raportuan në 2012-n:

Nga 557 pacientë që trajtohen me dializë, 208 prej tyre rezultojnë me hepatit C. Këto janë të dhënat të një prej pavijoneve në Qendrën më të madhe spitalore në vend të testuar në periudhën gusht-dhjetor 2012. Sipas informacioneve, një mjeke ka ndërmarrë një studim vetjak, me qëllim mbrojtjen e doktoraturës në të cilën shqyrtohen rastet me hepatit C. Ndërkohë, shefi i pavijonit të nefrologjisë, Nestor Thereska ka pohuar që herë pas here ky pavijon bën testime të ndryshme për qëllime studimi apo mbledhje të dhënash.

Theresha ka pohuar që numri i lartë i personave me hepatite nuk është një problematikë vetëm e jona. “Në kongresin e fundit ndërkombëtar të veshkave, të mbajtur në Stamboll, u vunë në dukje rastet në rritje të personave me hepatit C. Atje u dha një kambanë alarmi jo vetëm për hepatitin B dhe C, por edhe për hepatitet që merren në pavijonin e hepatologjisë.”

Nisur nga shifrat e publikuara dhe rastet e paraqitura pranë Shoqatës së Pacientëve me Hepatite, në atë kohë ka reaguar edhe kryetari i kësaj shoqate i cili ngriti shqetësimin e infektimit të pacientëve që trajtohen me dializë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Partizan Malkaj është shprehur se: “Jemi në dijeni për situatën alarmante të krijuar, por nuk mund t’i vëmë gishtin askujt, pa pasur prova konkrete. Nuk është saktësuar fakti nëse pacientët kanë qenë me hepatit para se t’i nënshtroheshin dializës, apo e morën atë në ambientet e ku bëhet dializa në QSUT.”

Thereska: Dyshoj se edhe mjekët e infermieret janë me hepatit

“Rreziku i marrjes së hepatiteve nuk e kanë vetëm pacientët, por edhe mjekët dhe infermierët. Me pak fjalë i gjithë personeli i spitalit është i rrezikuar. Këtë nuk e them unë, por po të kryhen analizat e mjekëve dhe infermierëve të gjithë janë të infektuar me hepatitin B dhe C. Nuk guxoj të bëj analizat, pasi mund të jem një prej të infektuarve. Është një gjë shumë e rëndë për personelin mjekësor, por duhet ta pranojmë, për aq kohë sa kemi zgjedhur të punojmë këtu”, është shprehur në atë kohë Thereska.

Normalisht, në pavijonet e rriskuara duhet të kryhet të paktën një herë në muaj vaksina kundër marrjes së këtyre hepatite. Ai ka shpjeguar se rrugët nga ku mund të merret hepatiti C mund të jenë kateterizimet e shumta, aget, shiringat, stomatologu, ndërhyrje kirurgjikale në kirurgjinë e përgjithshme etj. Gjithashtu, edhe gjaku është transmetues i hepatiteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*