
Kryeministri i vendi Edi Rama ishte mbrëmë i ftuar në një emision televiziv ku foli për reformat e realizuara në sektorë të ndryshëm të vendit. Si gjithmonë, shëndetësia mbetet pika më e nxehtë e debatit dhe diskutimit. Edhe një herë Rama renditi të gjitha sukseset duke pretenduar se po bën shtet në shëndetësi. Fjalët e kryeministrit kanë revoltuar shumë fort gazetarin Dritan Laci. Gazetari ka vendosur të ndajë me të gjithë një vdekje të trishtë, për shkak të mungesës së kushteve në ambulancë.
Postimi i plotë i gazetarit në Facebook:
Mbrëmë e dëgjova për të disatën herë kryeministrin e vendit tim që flet për suksese në shëndetësi. Deri më tani kam heshtur sepse kam kërkuar të respektoj zinë e familjarëve për humbjen e të afërmit të tyre, por, nëse ata kanë zgjedhur të heshtin, edhe për interesat e tyre të ngushta konjukturore politike, pasi e dëgjova edhe njëherë kryeministrin e vendit tim për suksesin e shëndetësisë së epokës së tij, kam vendosur të botoj në profilin tim një fakt tronditës. Të cilin më poshtë do ta shoqëroj me dokumentet përkatëse të siguruara nga burimet e mia.
Bëhet fjalë për vdekjen e Sokol Baraj, ish-zv/ministër i Punëve të Brendshme, i cili ndërroi jetë jo më larg se një muaj më parë si pasojë e një ataku kardiak. Sokol Baraj ishte vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Besnik Baraj si edhe i afërm i Drejtoreshës së Fondit të Kujdesit Shëndetësor, Luzhiana Abazi.
Në dokumentin e mëposhtëm janë kartelat e të ndjerit që nga momenti kur është bërë telefonata e parë për ndihme drejtuar Urgjencës pranë Stadiumit “Dinamo” deri në momentin kur i është dhënë ndihma e parë nga mjekët e Urgjencës.
Banesa e të ndjerit ka qenë vetëm 300 m larg Urgjencës, pranë Piceri “Era” në ish-Bllok. Por çka ndodhur? Edhe pse kanë shkuar në kohë reale për t’i dhënë ndihmën e parë, mjekët e urgjencës e kanë pasur të pamundur ta mbajnë në jetë pacientin. Kjo sepse Defibrilatori që bën masazhin elektro-kardiak nuk punon. Dhe, sipas po burimeve të mia, ka dy vite që është jashtë funksionit.
Në pamundësi të funksionimit të Defibrilatorit, mjekët sikundër shikohet edhe në kartelën e z. Baraj, kane filluar t’i bëjnë CPR. Për të gjithë ata që nuk e dinë, CPR (Cardiopulmonary Resuction) është masazh kardiak me duar. Vëllai i z. Baraj, i i cili gjendej në ato momente pranë tij, i ka kërkuar me ngulm disa herë mjekëve të përdorin defibrilatorin, por ata i kane thënë që nuk punon.
Sokol Baraj kësisoj ndërroi jetë, edhe pse ju dha ndihma e parë. Unë, duke respektuar dhimbjen e familjarëve për humbjen e të afërmit të tyre, do kisha zgjedhur të mos i publikoja këto fakte, por duke dëgjuar kryeministrin e vendit tim që krekosej se kishte shpëtuar shëndetësinë shqiptare, vendosa të mos hesht më.
Vendosa të mos hesht sepse kam kuptuar që jeta jonë është kthyer në një megafon që thotë gënjeshtra nga mëngjesi në darkë. Vendosa të mos hesht sepse nuk mund ta duroj dot faktin që ai që na gënjen është kryeministri i vendit tonë, ai që duhet të mbrojë jetët tona. Nuk ka natë që emisionet investigative në tri kanale kryesore televizive të mos japin fakte rrëqethëse për atë që ndodh në spitalet tona. Jo më larg se dy netë më parë në njërin prej tyre një pacient ulërinte nga dhimbjet ne korridor dhe e lanë të priste në radhë. Jo me larg se mbrëmë në një tjetër emision investigativ, u publikua rasti i Spitalit te Kukësit ku kuzhina e gatimit ishte ngjitur me dhomën e morgut ku po dekompozohej kufoma dhe kudo vinte era kerrme. Jo me larg se tri dite me pare u publikua një tjetër fakt tronditës se si infermieret në x qytet punojnë pa diplomë. Njerëz ju bëj thirrje. Kushdo qoftë, mos e lini veten robër të gënjeshtrës. Nuk ju duhet një kryeministër që gënjen. Më poshtë po ju vë në dispozicion edhe dokumentet e të ndjerit S. Baraj për të kuptuar se ku ka përfunduar ky vend.
Biseda e zbardhur midis vëllait të të ndjerit dhe mjekut:
Besnik Bare: Ju lutem bëni diçka se po na vdes vëllai.
Mjeku: S’kemi çfarë t’i bëjmë, ja po i bëjmë masazh kardiak.
Besnik Bare: Ju lutem se do na vdesë vëllai bëni goditje elektrike.
Mjeku: Më çfarë t’ia bëjmë s’kemi, s’kemi……………………
Besnik Bare: Po merrni monitorin. Atë të riun që ju kanë sjellë.
Mjekët: Nuk kemi monitor
Bare: Nuk keni monitor defibrilator?
Mjekët: Jo zotëri, nuk kemi
Besnik Bare– Po ky po jep shpirt
PRO PACIENTIT Synon mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të pacientëve