Skandal/ QSUT, urdhra të brendshëm në kurriz të fëmijëve. Ç’po ndodh me fizioterapinë pediatrike?!

Denisa Canameti 

Një situatë e paqartë është krijuar prej dy javësh në shërbimin e fizioterapisë pediatrike në QSUT. Familjarët janë lajmëruar se është hera e fundit që fëmijët do të marrin këtë shërbim aty, pasi në vazhdim do të ndiqen nga Qendra Kombëtare e Mirërritjes Zhvillimit dhe Rehabilitimit të Fëmijëve, në Kombinat.

Mjekët e këtij shërbimi janë njoftuar se do t’u shërbejnë vetëm fëmijëve të shtruar në spital. Të tjerët nuk do të priten. Kjo situatë është parë si dramatike për prindërit, e papranueshme për mjekët dhe e pakënaqshme për studentët. Prindërit vuajnë frikën e përballjes me klinikat private, ku çmimet e seancave të fizioterapisë janë të kripura dhe të papërballueshme. Nga ana tjetër mjekët mbeten pa punë. Ndërsa studentët e fizioterapisë që bëjnë praktikën pranë këtij shërbimi qëndrojnë pasivë, duke e kthyer orën e mësimit në “orë digjitale”. Kjo situatë është denoncuar nga vetë pacientët, të cilët kanë frikën e ekspozimit me zë e me figurë, por, ngulmojnë që problematika të bëhet publike. Edhe pse ende nuk ka asgjë zyrtare.

Në shërbimin e neuropediatrisë dhe fizioterapisë, QSUT

Për të mësuar diçka më shumë rreth kësaj problematike, gazetarët shkuan në shërbimin e neuropedriatrisë në QSUT. Një burim brenda këtij shërbimi konfirmon shqetësimin e pacientëve.

“Është e vërtetë që po qarkullon një njoftim i tillë. Nuk jemi pyetur (thotë një nga mjekët e këtij shërbimi), por na duket e palogjikshme. Ky shërbim duhet zgjeruar akoma më shumë dhe me orare më të zgjatura sepse nevoja është shumë e madhe. Qendra Kombëtare nuk ka kapacitetin për të pritur të gjithë pacientët që ka mbajtur QSUT-ja deri sot. Ka dy rrugë: ose do të zgjatet koha e marrjes së shërbimit dhe do të shkurtohen seancat e fizioterapisë, ose do bjerë cilësia e punës se nuk ka rrugë tjetër” shprehet burimi.

Frika për të pohuar këtë fakt në prani të kamerave, krijon një mjegullnajë në drejtim të çështjes. Të pyetur drejtpërdrejt nga gazetarët, punonjëset e këtij shërbimi e mohojnë. Madje, ata mbeten të habitur.

“Nuk është e vërtetë, puna vijon normalisht. Nuk kemi pasur asnjë njoftim nga administrata. Është normale që ne do të merremi vetëm me ambulatorin e pediatrisë. Çfarë ka anormale këtu? Kështu ka qenë gjithmonë” shprehet një nga punonjëset.

Rreth orës 10 të paradites, panorama në këtë shërbim ishte e tillë: Dy infermiere pa punë dhe një grup studentësh në një qosh me kokën mbi telefonat celularë.

Të tjerë burime brenda këtij shërbimi shprehen se:

“Në punën e mëparshme kishte një kalendar. Bëhej fizioterapi nga e hëna në të premte nga ora 8 deri në 14:00-15:00. Mjekët i kanë njoftuar pacientët që do të shkojnë në Kombinat. Hyni dhe shikoni, tani janë pa punë. Sigurisht që nuk duhet të tregoni se jeni gazetar.

“Pasi nuk ka asnjë mundësi për të hyrë në shërbim. Ka pacientë që kanë nga 3 vite që ndiqen nga mjekët e QSUT-së. Ata e njohin mirë rastin e secilit pacient dhe ecurinë e tij ndër vite. Dimë që shefja e pavionit është thirrur në drejtori dhe është dhënë njoftimi. Pacientëve u kanë thënë që jeni edhe këtë javë dhe pastaj s’do të jeni më. Urdhri është dhënë para dy javësh dhe javën që shkoi nuk ka pasur më pacientë. Vetëm kur vjen ambulator”.

3 herë fizioterapi brenda javës, tregu me çmime të çmendura

Fëmijët bëjnë 3 herë në javë fizioterapi. Një seancë fizioterapi, në klinikat private është shumë e shtrenjtë. E si për mos mjaftuar kjo, është e vështirë të ndash fizioterapistin nga masazhatori. Ku këta të fundit janë me shumicë, por nuk kanë asnjë kompetencë për trajtimin e sëmundjeve.

QSUT-ja: Ka vetëm rishikim grafiku

Administrata e QSUT-së shprehet nga ana e saj që nuk ka asnjë të vërtetë në këtë lajm. Do të bëhet vetëm një rishikim grafiku. Do të rirregullohen listat për të ndarë ambulatorin nga ato që vijnë nga jashtë. Kjo është e gjitha.

Kika: Drejtohuni QSUT-së

Migena Kika, neuropediatre dhe drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Mirëmbajtjes, Zhvillimit dhe Rehabilitimit të Fëmijëve në Tiranë gjithashtu është kontaktuar për t’u pyetur për çështjen në fjalë. Përmes një komunikimi jo zyrtar ajo është përgjigjur duke thënë se:

“Nuk ka informacion zyrtar për këtë çështje, por nga Ministria e Shëndetësisë më sugjeruan t’i drejtoheni zyrës së shtypit të Ministrisë së Shëndetësisë për informacion të detajuar”.

Të paqartë mbeten prindërit e fëmijëve. Ka 2 javë që nuk marrin shërbimin e fizioterapisë në QSUT. Redaksia do t’i drejtohet me një shkresë zyrtare Ministrisë së Shëndetësisë për të mësuar më shumë diçka rreth kësaj çështje./ ProPacientit

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*