Qytetarët: Fasadë, spitalet s’kanë ilaçe. Rama: Gënjeshtër!

Denisa Canameti

Kryeministri i vendit Edi Rama është tepër aktiv në rrjetet sociale. Jo vetëm përmes postimeve të vazhdueshme të videove apo fotove, por edhe përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët. Ditën e djeshme Rama ka postuar një video të QSUT-së duke e cilësuar atë si kantierin më të madh në rrugën e Rilindjes së Shëndetësisë. Reagimet e qytetarëve kanë qenë të menjëhershme.

Ata kanë vërshuar në një lumë komentesh ku përpiqen t’i sjellin në vëmendje kryeministrit kryesisht mungesën e ilaçeve.

“Sheh ëndrra me sy hapur t’i se në ato spitale që mburret e ashtuquajtura rilindja mungojnë medikamentet kryesore dhe ato që dispononi janë të skaduara”.

“Mos paç ymer o njeri, se isha vetë te reparti i fëmijëve me kancer në gjak dhe jo vetëm që s’ka ilaçe e i blejnë në treg të zi shumë shtrenjtë, po edhe analizat nuk bëheshin në spital. Mjerë ata prindër. I do më emër? Mungon Endoxan, Mesna, Leukeran. Dil e më thuaj se janë, ma vërteto.”

“Nuk ka as ilaçet minimale për të shtruarit, edhe pa lekë nuk bën asnjë vizitë”.

Këto janë disa nga komentet e bëra në profilin zyrtar të kryeministrit Rama. Sigurisht që Rama ka kthyer disa përgjigje, në të cilat këmbëngul që ilaçe ka dhe se retorika e mungesës së ilaçeve është veçse një gënjeshtër.

 “Kjo është një gënjeshtër dhe më vjen shumë keq që e thua, sepse QSUT ka kohë që s’ka asnjë problem me furnizim ilaçesh” përgjigjet Rama./ https://propacientit.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*