Shoqata Together for Life ka realizuar trajnimin dy ditor, me temë “Mbrojtja e të drejtave të Pacientëve”. Në këtë trajnim morën pjesë pacientë, përfaqësues të Shoqatave të Pacientëve si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore. Gjatë këtij aktivitet, sipas programit të parashikuar, u trajtuan tema lidhur me të drejtat e pacientëve, kuadrin ligjor përkatës, procedurat administrative si dhe institucionet e pavarura, kushtetuese dhe quasi gjyqësore, si Avokati i Popullit, Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, institucione të cilat kanë në fokus mbrojtjen e të drejtave të pacientëve.
Pjesë e veçantë e këtij trajnimi ishte dhe prezantimi/ trajtimi i Guidës së Bashkëpunimit mes Pacientëve, Shoqatave të Pacientëve dhe institucioneve të pavarura, dokument i cili synon të ndihmojë pacientët, në mënyrë të thjeshtuar dhe praktike, për të mbrojtur të drejtat e tyre ligjore përmes paraqitjes së kërkesave dhe ankimeve pranë institucioneve të mësipërme, përsa i takon ofrimit të shërbimit shëndetësor nga autoritetet shëndetësore.
Ky aktivitet u realizua në kuadër të Projektit “Fuqizimi i pacientëve: Luftë kundër korrupsionit në sistemin shëndetësor përmes fuqizimit të pacientëve dhe institucioneve të pavarura”, mbështetur nga USAID/Albania.