Tfl fiton betejën e parë gjyqësore në mbrojtjen e pacientëve

 

Shënohet edhe fitorja e parë e pacientit të mbështetur në proces gjyqësor nga shoqata “Together for Life”. Në muajin mars, Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës i ka dhënë të drejtë pacientes E. R., të referuar nga shoqata “Together for Life”, e cila ka paditur Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për mosmarrjen e shërbimit të duhur për trajtimin e sëmundjes së saj. Në arsyetimin e saj, gjykata shprehet se “QSUT ka detyrimin ligjor të bëjë përllogaritjen në kohë të të gjitha nevojave që ka për medikamente dhe t’i propozojë personit të tretë për të prokuruar blerjen e tyre me qëllim që të mos mbetet asnjë periudhë kohore pa ofruar shërbimin mjekësor me medikamente”. Me vendim të gjykatës, pacientja duhet të dëmshpërblehet me dëm pasuror dhe jopasuror.

Shoqata “Together for Life” po mbron prej disa vitesh të drejtat e pacientëve. Përmes projekteve të shumta, të përqendruara pikërisht në fushën e të drejtës së shëndetit, si një e drejtë ligjore (në një shtet ligjor), shoqata ka realizuar një sërë fushatash me karakter avokues, një sërë investigimesh me qëllim nxjerrjen në pah të problematikave si dhe një cikël trajnimesh, seminaresh, hapësirë mediatike për pacientët, si dhe ka ofruar ndjekje ligjore për rastet. Pacientët me sëmundje malinje, sidomos pacientët e shërbimit të Onkologjisë në QSUT, kanë qenë në qendër të punës së shoqatës, e cila nuk ka reshtur së kërkuari të drejtat e tyre përmes organizimit të aktiviteteve para derës së Kryeministrisë (25 shkurt 2015) apo para shërbimit të onkologjikut në ditë të shënuara (13 korrik 2016, 8 mars 2017, 8 mars 2018).

Krahas punës në nivel institucionesh për zgjidhjen e disa problemeve që lidhen me mungesën e medikamenteve apo pajisjeve diagnostikuese, shoqata “Together for Life” gjithashtu ka mbështetur raste konkrete të pacientëve. Kjo, me qëllim rritjen e besimit të qytetarëve/ pacientëve ndaj institucioneve ligjvënëse, si dhe ndërgjegjësimin/ edukimin apo njohjen e tyre me të drejtat që gëzojnë si pacientë.

E. R. është një nga rastet që ka ardhur në adresën e shoqatës për të kërkuar ndjekje ligjore pasi sipas saj, nuk ka marrë shërbimin mjekësor në kohë. Shoqata “Together for Life” ka vënë në dispozicion ekpertët ligjorë të cilët kanë bërë një vlerësim të rastit, si dhe ka njohur institucionin e Avokatit të Popullit me problematikën. Më pas është depozituar një kërkesë padi pranë institucionit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë. Pas shqyrtimit të rastit nga Gjykata e Shkallës së Parë, ka rezultuar se nga pala e paditur, QSUT, nuk është zbatuar protokolli për dhënien e trajtimit mjekësor ndaj paditëses.

Pacientja E.R. është përfaqësuar në gjykim nga Av. Erjon Kanxheri, nëpërmjet mbështetjes të Qendrës së Ligjit pranë Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë – OSFA.

Krahas këtij rasti, shoqata “Together for Life” gjithashtu ka depozituar edhe disa raste të tjera pacientësh në Gjykatë, me bindjen se këto raste suksesi në një të ardhme të afërt do t’i shërbejnë jo vetëm rasteve konkrete, por do të jenë frymëzim për të gjithë pacientët të cilët përjetojnë shkeljen e të drejtave të tyre nga sistemi shëndetësor, në përballje me sistemin shëndetësor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*