Rrëfimi i nënës: Kam shpenzuar miliona për trajtimin e fëmijës në QSUT, Ministria të reagojë

Desara Çela

Pavioni i onkohematologjisë në Pediatrinë e QSUT-së mbetet përsëri ai pavioni fatkeq ku mungesa e medikamenteve të kushton shumë, me shuma monetare të larta por edhe në jetën e fëmijëve të shtruar aty. Shumat janë marramadëse të cilat harxhohen gjatë muajve të qëndrimit aty, por këto shuma nuk të ndahen as kur ke ikur nga ai pavion ku fatura mujore është gjysmë milioni lekë. Me të ardhura të pakta nga emigracioni dhe nga KEMPI i njërit prind të cilit ja kanë hequr kohët e fundit, sfida është për mbijetesën e të dyve. Në një intervistë për gazetën “Shëndeti Online” prindi i një fëmije me Leucemi Akute tregon se sa të kushton shëndetësia në vendin tonë.

Kur jeni shtruar në spital dhe si ishte shërbimi aty?

Jam shtruar në vitin 19.11.2011 dhe kam dalë nga spitali me 22.9.2020. 10 muaj e shtruar në pavionin e onkohematologjisë ne QSUT.  Më vinte ushqimi për djalin, kosi me banane (ujë) që ky nuk e donte kurrë, kurrë. E pija unë që të mblidhja pak veten. Nuk kishte ushqim për të ushqyer fëmijët me sëmundje të rënda. Djali nuk e hante, e merrja dhe e hidhja në kosh të plehrave.

Sa lekë harxhonit në ditë për ushqime?

Unë aty në ditë kam harxhuar 50 mijë lekë (të vjetra) sepse ky donte edhe fruta: dardhë, banane, mollë, lëngjet. Në atë pavion nuk ka ujë të pijshëm dhe ishim të detyruar ta blinim.

Po medikamente keni blerë gjatë qëndrimit në spital?

Po! Me miliona lekë kam blerë ilaçe. Po të them që dita më e paktë që unë kam harxhuar ishte 150 mijë lekë (të vjetra) ndërsa dita që kam harxhuar më shumë ishte 1milion e 300 mijë lekë deri në 1 milion e 500 në ditë. Pa llogaritur gjërat e tjera.

Po tashmë që fëmija ka dal nga spitali blini më medikamente?

Blej shumë sepse bën kimioterapi në shtëpi, jo venoze.

Tani blej:

  • 6-Mercaptopurine (6-MP)
  • Methrotrexat
  • Bactrina
  • Kortizonin
  • Omeprazol, etj

Të gjitha këto më kushtojnë shumë, të themi 500 mijë lekë (të vjetra) në muaj. Unë nuk kam shpenzime vetëm të medikamenteve, por kam rrugën që do vij nga Elbasani për në Tiranë. Makina kushton 50 mijë lekë. Fëmija im nuk mund të vijë me autobus për shkak se merr infeksion. Ishim dhe në kohën e virusit dhe ky ishte i pari që u rrezikonte. Edhe tani kur vijmë ne QSUT vijmë me makinë, autobusi është plot dhe kam frikë se mos merr ndonjë virus, ai është akoma me ilaçe.

Sa herë jeni të detyruar të vini në QSUT?

Pasi doli nga spital u detyruam të vinin 3 herë në javë, ku më pas edhe u shtruam përsëri sepse dyshuam për rikthim të sëmundjes ku qëndoi 2 javë i shtruar por shyqyr nuk kishte gjë.

Po gjatë 2 javorit që u rikthyet në spital keni blerë medikamente?

Jo sepse sëmundja nuk ishte rikthyer dhe nuk e nisi kimioterapinë, por kam blerë ilaçet e tjera që përdorte në shtëpi ato që merr edhe sot. Të gjitha këto gjëra i mësova nga diagnoza e tim biri por edhe nga shpjegimi që na bënin mjekët. Mjekët aty kanë luajtur edhe rolin e psikologut, kanë luftuar deri në fund me ne. Pavioni ka edhe psikologe e cila është shumë e mirë. Të gjithë çfarë janë aty personel në atë pavion janë shumë të mirë. Unë “mllefin” nuk e kam me personelin aty, e kam për ato lart, Ministrinë e Shëndetësisë e cila duhet të verifikojë gjërat.

Ku i bleni medikamentet?

Në farmacinë jashtë spitalit! Në fillim po me recetë se nuk i njihja, por tashmë që po bëjmë kaq kohë nuk kam çfarë e dua më recetën. Ma japin dhe pa recetë.

Medikamentet e blera janë me pullë apo pa pullë?

Të shumtat janë pa pullë. Ndërsa disa të tjera me pullë.

Kur merrni medikamentet tek farmacia ju jep faturë në çmimin që blenin medikamentin?

Jo! Kur unë paguaj 1 milion lekë të vjetra në dorë, në faturë merrja sikur kisha blerë 350 mijë lekë medikamente, duke e ndarë faturën e 1 milionshit në tre fatura të tjera. Dhe kur e kam pyetur pse ma jepni kështu thjeshtë ka ngritur supet pa më dhënë përgjigje, vetëm një herë i kërkova llogari, por pastaj jo thjesht paguaj lekët e kaq.

Kam mbetur edhe me lekë borxhë tek farmacistja. I kam 70 mijë lek borxhë të ilaçeve.

Medikamentet i blini këtu apo apo jashtë vendit?

Po kam blerë edhe në Greqi ku vetëm një medikament më ka kushtuar 95 Euro (kam faturën), ilaçet të cilat unë nuk i gjej këtu përpiqem ti gjej atje, ndërsa ilaçet që janë këtu i marr këtu. Atje po më ndihmojnë disa shqiptarë duke i marrë atje dhe mi sjellin për djalin tim.

Cilat janë të ardhurat në familjen tuaj?

Unë jo nuk punoj, ku të punoj kur djalin e kam sëmurë. Burrin e nisa rrugëve të emigrimit për të na sjellë të ardhura që të mbulonin shpenzimet e djalit. Djali merr CAMP por aq lekë sa merr ai nuk i dalin për të blerë vetëm gjysmën e ilaçeve. Unë vetë jam më keq se djali, e diagnostikuar me kancer të gjirit. Ku kam hequr gjoksin, kam bërë dhe 8 seanca kimioterapi dhe 45 seanca rreze përpara se djali të diagnostikohej me Leucemi.

Kam marrë 2.5 vite CAMP por tashmë ma kanë hequr të drejtën për ta marrë, duke më thënë që nuk më takon më. Unë e kam kraharorin “dërrasë” dhe ma kanë hequr. Ku në fakt unë e kam për 5 vite për të marrë CAMP në letra dhe më pas duhet të dal në komision dhe të vendoset nëse unë e fitoj përsëri. Nuk janë bërë 5 vite por vetëm 2.5 vite kështu që më takon me të drejtë.

A keni bërë kërkesa për mungesën e medikamenteve?

Po!  Kam bërë kërkesë dhe më thanë që do na ndihmojnë, por më sollën vetëm disa lodra për djalin ku në fakt im bir nuk kishte nevojë për lodra po për ilaçe. Ku unë po harxhoja 1 milion lek një seancë kimioterapi nuk doja lodra.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*