Rezultatet e reja të sondazhit tregojnë se sistemet shëndetësore po fillojnë të rikuperohen nga pandemia (OBSH)

Pas 3 vitesh të pandemisë Covid-19, sistemet shëndetësore në vende të ndryshme të botës kanë filluar të tregojnë shenjat e para madhore të rikuperimit të tyre, kjo sipas raportit të OBSH mbi “Raundi i katërt i anketës globale të pulsit mbi vazhdimësinë e shërbimeve shëndetësore thelbësore gjatë pandemisë COVID-19: Nëntor 2022-Janar 2023”. Deri në fillim të vitit 2023, vendet raportuan se kishin përjetuar ndërprerje të reduktuara në dhënien e shërbimeve shëndetësore rutinë, por theksuan nevojën për të investuar në rimëkëmbje dhe elasticitet më të fortë për të ardhmen.

Midis 139 vendeve që ju përgjigjën raundit të katërt të anketës, raportuan ndërprerje të vazhdueshme në mesatarisht një të katërtën e shërbimeve. Në 84 vende ku analiza e trendit është e mundur, përqindja e shërbimeve të ndërprera ra mesatarisht nga 56% në periudhën Korrik-Shtator 2020 në 23% në periudhën Nëntor 2022- Janar 2023.

Ndërprerjet e vazhdueshme vlerësohen se ndodhin për shkak të faktorëve të kërkesës dhe ofertës, duke përfshirë nivelet e ulëta të kërkimit të kujdesit shëndetësor në komunitete, si dhe disponueshmërinë e kufizuar të punonjësve shëndetësorë dhe burimeve të tjera të kujdesit shëndetësor, ose rezervat e disponueshme të barnave dhe produkteve të kujdesit shëndetesor.

“Është një lajm i mirëpritur që sistemet shëndetësore në shumicën e vendeve kanë filluar të rivendosin shërbimet thelbësore shëndetësore për miliona njerëz që i patën ato në mungesë gjatë pandemisë,” tha Dr. Rudi Eggers, Drejtori i OBSH-së për Shërbimet e Integruara Shëndetësore. “Por ne duhet të sigurojmë që të gjitha vendet të vazhdojnë të mbyllin këtë hendek për të rikuperuar shërbimet shëndetësore dhe të zbatojnë mësimet e nxjerra për të ndërtuar sisteme shëndetësore më të përgatitura dhe më elastike për të ardhmen”.

Shenjat e para të dukshme të rimëkëmbjes

Në këtë anketim të ri, më pak vende raportuan ulje të qëllimshme të aksesit në të gjitha platformat e ofrimit të shërbimeve dhe funksionet thelbësore të shëndetit publik që nga raportimi i viteve 2020-2021, duke shfaqur një hap të rëndësishëm për t’u rikthyer në nivelet e ofrimit të shërbimit para pandemisë dhe funksionimin më të gjerë të sistemit.

Deri në fund të vitit 2022, shumica e vendeve raportuan shenja të pjesshme të rikuperimit të shërbimeve, duke përfshirë shërbimet për shëndetin seksual, riprodhues, e nënës, e të porsalindurve, fëmijëve dhe adoleshentëve; të ushqyerit, imunizimi; sëmundjet ngjitëse (duke malarien, HIV, TB dhe infeksione të tjera seksualisht të transmetueshme); menaxhimin e çrregullimeve mendore, neurololgjike dhe të përdorimit të substancave; kujdesi për të moshurarit dhe kujdesi plotësues, shtesë.

Numri i vendeve që raportuan ndërprerje në sistemin e tyre kombëtar të zinxhirit të furnizimit u ul nga gati gjysma (29 nga 59 vendet përgjigjëse) në rreth një të katërtën (18 nga 66 vendet përgjigjëse) brenda vitit të kaluar.

Pavarësisht shenjave të rimëkëmbjes, ndërprerjet e shërbimit vazhdojnë në të gjithë vendet në të gjitha rajonet dhe nivelet e të ardhurave. Vendet po përballen gjithashtu me rritje të numrit të shërbimeve të mbetura – më së shpeshti në shërbimet për vlerësimin, diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve jo të transmetueshme – të cilat mund të çojnë në pasoja negative pasi njerëzve u vonohet aksesi për marrjen e kujdesit në kohë.

Rimëkëmbja e ofrimit të shërbimeve thelbësore shëndetësore është kritike sepse ndërprerjet – duke përfshirë shërbimet për promovimin e shëndetit, parandalimin e sëmundjeve, diagnostikimin, trajtimin, rehabilitimin dhe shërbimin paliativ – mund të kenë efekte negative shëndetësore edhe më të mëdha në nivel popullsie dhe individuale sesa vetë pandemia, veçanërisht në mesin e popullatave më vulnerabël.

Integrimi i shërbimeve COVID-19 në shërbimet thelbësore shëndetësore

Në një hap tjetër të rëndësishëm drejt rimëkëmbjes dhe tranzicionit të sistemit, shumica e vendeve kanë bërë përparim në integrimin e shërbimeve ndaj COVID-19 në ofrimin rutinë të shërbimeve shëndetësore. Rreth 80-90% e vendeve kanë integruar plotësisht shërbimet e vaksinimit kundër COVID-19, diagnostikimin dhe menaxhimin e rasteve, si dhe shërbimet për gjendjen pas COVID-19 në ofrimin e shërbimit rutinë.

Megjithatë, shumica e vendeve (80% e 83 vendeve që u përgjigjën) raportuan të paktën një pengesë për rritjen e aksesit në mjetet thelbësore të COVID-19 (p.sh. diagnostifikimin e COVID-19, terapinë, vaksinat dhe pajisjet mbrojtëse personale – PPE).

Mbështetje e mëtejshme nevojitet për rimëkëmbjen, elasticitetin dhe gatishmërinë

Shumica e vendeve kanë filluar të zbatojnë atë që kanë mësuar gjatë pandemisë COVID-19, duke përfshirë institucionalizimin e një numri strategjish inovative për zbutjen e ndërprerjes së shërbimit në ofrimin rutinë të shërbimeve shëndetësore. Këto përfshijnë vendosjen e qasjeve të telemjekësisë, promovimin e kujdesit në shtëpi ose ndërhyrjet e vetë-kujdesit, qasjet për forcimin e disponueshmërisë së punonjësve shëndetësorë, kapacitetet dhe mekanizmat mbështetës, inovacionet në prokurimin dhe shpërndarjen e barnave dhe furnizimeve, komunikime më rutinore në komunitet dhe partneritete me sektorin privat.

Tre të katërtat e vendeve raportuan shpërndarje fondesh shtesë drejt rimëkëmbjes afatgjatë të sistemit, qëndrueshmërisë dhe gatishmërisë.

Vendet shprehën nevojën për mbështetje të OBSH-së për të adresuar sfidat e mbetura në kontekstin e COVID-19 dhe më gjerë, më shpesh të lidhura me forcimin e fuqisë punëtore shëndetësore, ndërtimin e kapaciteteve monitoruese të shërbimeve shëndetësore, hartimin e kujdesit shëndetësor parësor — modele të orientuara nga kujdesi, qeverisja, politika dhe planifikimin financiar dhe financimin.

 

Përshtati në shqip: Redina Çanaku

Burimi: New survey results show health systems starting to recover from pandemic (who.int)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*