Procesi i prokurimit publik ka një rol mjaft të rëndësishëm si mekanizmi nëpërmjet të cilit synohet mirëadministrimi i fondeve publike. Ai kërkon përcaktimin e rregullave të posaçme për menaxhimin e fondeve shtetërore, me qëllim minimizimin e kostove të panevojshme në buxhetin e shtetit dhe përputhjen e çmimit me cilësinë e mallit, shërbimit apo punës së kërkuar.
Qëllimi i Ligjit të Prokurimit Publik është:
- të rrisë efiçencën dhe efikasitetin në procedurat e prokurimit publik, të kryera nga autoritetet kontraktore;
- të sigurojë mirëpërdorim të fondeve publike dhe të ulë shpenzimet procedurale;
- të nxisë pjesëmarrjen e operatorëve ekonomikë në procedurat e prokurimit publik;
ç) të nxisë konkurrencën ndërmjet operatorëve ekonomikë;
- të sigurojë një trajtim të barabartë dhe jodiskriminues për të gjithë operatorët ekonomikë, pjesëmarrës në procedurat e prokurimit publik;
- dh) të sigurojë integritet, besim publik dhe transparencë në procedurat e prokurimit publik.
Ndër partimet bazë të prokurimit publik janë:
- Trajtimi i barabartë
- Parimi i mosdiskriminimit
- Parimi i njohjes reciproke
- Parimi i propocionalitetit
- Parimi i transparencës
Ndërsa të gjitha parimet janë të rëndësishme, parimi i transparencës është drejtpërdrejtë i lidhur me luftën kundër korrupsionit.
Parimi i transparencës imponon detyrimin e trasparencës së Autoritetit Kontraktor në kryerjen e një procedure prokurimi dhe dhënien e një kontrate publike, imponon publikimin e planeve për dhënien e kontratave; imponon publikimin e dokumenteve standarde të tenderit dhe njoftimin e kontratës.
Parimi i transparencës bazohet në VKM Nr. 918, datë 29.12.2014, “Pёr kryerjen e procedurave të prokurimit publik në mënyrë elektronike”, i ndryshuar. Kjo transparencë kryhet përmes Sistemit elektronik të prokurimeve publike www.app.gov.al, buletinit të njoftimeve publike, regjistrit të parashikimit të prokurimeve publike dhe regjistrit të realizimit të prokurimeve publike. Gjithashtu, dokumentet e tjera që hyjnë në respektimin e parimit të transparencës janë:
- Publikimi i njoftimit të fituesit
- Publikimi i ndryshimeve të dokumenteve të tenderit
- Vendimet e marra gjatë një procedure prokurimi dhe rezultatet
- Anulimi i procedurës
- Njoftimi i kontratës së lidhur
- Formulari i realizimit të kontratës
- Sistemi elektronik i prokurimeve
Ky shkrim është publikuar në kuadër të projektit “Nxitje transparencës dhe luftës ndaj korrupsionit në prokurimet publike në shëndetësi”, i cili zbatohet nga shoqata “Together for Life” dhe mbështetet financiarisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur. Qëllimi i këtij shkrimi është informues. Mendimet dhe opinionet e shprehura në të i përkasin autorëve dhe nuk përkojnë domosdoshmërisht me qëndrimet e Fondacionit.”