Pr.ligji për Shëndetin Riprodhues, gjinekologia jep alarmin: Aborti nuk është një fjalë goje, një 16-vjeçare s’është e aftë të marrë përgjegjësi pa prindin

Gjinekologia Xhensila Omeri, e ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ka folur në lidhje me projektligjin për Shëndetin Riprodhues.

Ajo ka prekur rastin ku parashikohet se vajzave mbi 16 vjeç, në rast se deklarojnë se u rrezikohet jeta nga prindërit, mund të kryejnë abort pa e marrë vesh familja.

“Nuk janë të aftë të marrin përgjegjësi dhe të përballojnë vetëm apo vetëm me gjinekologun një hap të tillë. Duhet patjetër prania e prindit.

Një ndërprerje shtatzënie ka rrisqe, mund të ketë hemorragji apo komplikacione të tjera ku mund të humbet edhe jeta.

Nuk besoj se ka mjek të marrë përsipër të ndërpresë një shtatzëni për një 16 vjeçare të pashoqëruar. Adoleshentët pavarësisht se mund të duken si 25 vjeç, janë në vrull hormonal dhe procesi i tyre i maturimit psikologjik nuk ka përfunduar”, tha ajo.

Aborti, kushtet e reja

Sipas projektligjit ndërprerja e shtatzënisë kryhet në një institucion shëndetësor të akredituar publik ose jo publik, që plotëson kushtet e përcaktuara në këtë ligj dhe në udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për shëndetësinë. Ndërprerja vullnetare e shtatzënisë, kryhet sipas protokolleve të miratuara. Vendimi për ndërprerjen e shtatzënisë merret të paktën 3 ditë pas marrjes së informacionit. Në rast se afati prej 3 ditësh bën që të tejkalohen afatet e përcaktuara në këtë ligj, mjeku mund të vendosë që ky afat të mos respektohet. Ndërprerja vullnetare e shtatzënisë mund të kryhet brenda katërmbëdhjetë javëve të para të shtatzënisë, me kërkesë të gruas shtatzënë dhe duhet të plotësojë kërkesat e mëposhtme:

a) Të kryhet nga një mjek specialist obstetër gjinekolog.

b) Të kryhet me pëlqimin e shprehur me shkrim të gruas shtatzënë.

c) Të kryhet me pëlqimin e prindit ose kujdestarit ligjor për të miturat nën moshën 16 vjeç.

ç) Të miturat e pamartuara mbi 16 vjeç mund të japin vetë pëlqimin për ndërprerjen vullnetare të shtatzënisë, por të paktën njeri nga prindërit ose kujdestari ligjor duhet te informohen per vendimin e saj. Ky informim nuk do të realizohet nëse e mitura ka arsye bindëse se njoftimi do të çojë në rrezik të qartë të dhunës në familje, kërcënime, detyrim, keqtrajtim ose braktisje.

Mjeku të cilit i kërkohet ndërprerja vullnetare e shtatzënisë, që në vizitën e parë duhet të informojë gruan për rreziqet mjekësore që sjell ndërprerja e shtatzënisë, si dhe problemet e mundshme shëndetësore të ndërhyrjes mjekësore. Të drejtat, ndihmën dhe avantazhet e garantuara me ligj për familjen, nënën dhe fëmijën, si dhe për mundësitë e adoptimit birësimit të fëmijëve që priten të lindin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*