“Ju lutem duke qenë se data 28 paska një ditë botërore për hepatit, më jepni dot një përgjigje përse një të sëmuri me hepatit B nuk I rimbursohen dot ilaçet. Ju lutem kam nevojë për një shpjegim. Është jeta e një njeriut tim të shtrenjtë dhe gjendja ekonomike është e rënduar tashmë. Si mund të bëhet? Ku të shkojmë të ankohemi për këtë? Ju faleminderit nëse e merrni në konsideratë shqetësimin tim.”
Mungesa e informacionit është një nga çështjet më të diskutuara në sistemin shëndetësor. Pacientët shpesh janë të painformuar për aksesin në shërbimin shëndetësor. Kjo situatë ka ndodhur edhe me qytetaren F.I e cila ka shkruar për të kërkuar informacion lidhur me rimbursimin e medikamenteve. Gazeta Shëndet plus, e ka marrë çështjen dhe e ka adresuar tek institucionet përgjegjëse: Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Ministria e Shëndetësisë nga ana e saj ka bërë përcjelljen e kërkesës te Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor:
E drejta e informimit garantohet në Nenin 23, të Kushtetutës dhe në Nenin 10, të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Këto akte mbrojnë të drejtën e çdo personi për të marrë informacion që ndodhet nën kontrollin e shtetit. Madje, informacioni duhet të sigurohet, pa nevojën për të vërtetuar interest ë drejtpërdrejtë apo përfshirjen personale në mënyrë që të marrë informacion, me përjashtim të rasteve kur aplikohet mjë kufizim legjitim.
Ndërkohë, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, përmes një shkrese me numër protokolli 3872/1 është përgjigjur se në LBR ka disa barna për mjekimin e të sëmurëve me Hepatit B, duke i specifikuar. Ndërkohë, për barnat e cituara (pjesë e LBR) sipas Fondit nuk ka mungesa në tregun e hapur dhe në tregun spitalor.
Në vijim, thotë shpresa pacientët duhet të drejtohen pranë mjekut të familjes, i cili do t’i referojë pranë mjekut specialist përkatës, ku do të sqarohen mbi përfitimet nga skema e sigurimeve shëndetësore./ D.C