
Ndërsa sëmundja është e pazakontë në vendet me klimë të butë, malaria është ende e zakonshme në vendet tropikale dhe subtropikale. Çdo vit afro 290 milionë njerëz infektohen nga malaria dhe më shumë se 400,000 njerëz vdesin nga kjo sëmundje.
Për të reduktuar infeksionet e malaries, programet botërore të shëndetit shpërndajnë barna parandaluese dhe rrjeta shtrati të trajtuara me insekticide për të mbrojtur njerëzit nga pickimi i mushkonjave. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka rekomanduar një vaksinë kundër malaries për përdorim tek fëmijët që jetojnë në vende me numër të lartë të rasteve të malaries.
Rrobat mbrojtëse, rrjetat e shtratit dhe insekticidet mund t’ju mbrojnë gjatë udhëtimit. Ju gjithashtu mund të merrni ilaçe parandaluese para, gjatë dhe pas një udhëtimi në një zonë me rrezik të lartë. Shumë parazitë të malaries kanë zhvilluar rezistencë ndaj ilaçeve të zakonshme që përdoren për trajtimin e sëmundjes.
Simptomat
Shenjat dhe simptomat e malaries mund të përfshijnë:
- Ethe
- Të dridhura
- Ndjenja e përgjithshme e shqetësimit
- Dhimbje koke
- Nauze dhe të vjella
- Diarre
- Dhimbje barku
- Dhimbje muskujsh ose kyçesh
- Lodhje
- Frymëmarrje e shpejtë
- Rrahje të shpejta të zemrës
- Kollë
Disa njerëz që kanë malarie përjetojnë cikle “sulmesh” të malaries. Një atak zakonisht fillon me të dridhura, e ndjekur nga një temperaturë e lartë, e më pas nga djersitje dhe një kthim në temperaturën normale.
Shenjat dhe simptomat e malaries zakonisht fillojnë brenda disa javësh pasi janë pickuar nga një mushkonjë e infektuar. Megjithatë, disa lloje të parazitëve të malaries mund të qëndrojnë të fjetur në trupin tuaj deri në një vit.
Ndërkaq, në Shqipëri, sipas një publikimi të fundit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, i referohen sëmundjes së malaries si “pushtuesi” jofashist i Shqipërisë në vitet ’40.[2]
Sëmundja hiper-endemike e malaries do të përhapej në pjesën më të madhe të territorit duke shkaktuar kolaps për bluzat e bardha. Për shkak të bombardimeve të qyteteve shqiptare, spitalet dhe shërbimi shëndetësor u transferua në zonat periferike për të dhënë ndihmat mjekësore ndaj fëmijëve, që ishin kategoria më e prekur nga sulmi malarial.
U desh një shekull që ndërmarrjet shkencore mjekësore të prodhonin vaksina kundër malaries, por kjo sëmundje ende vazhdon të vrasë mijëra vetë në vit. Fotoja bashkëngjitur tregon hartën e shpërndarjes gjeografike të rasteve me malarie në Shqipërinë e viteve ‘40, hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë.
Përshtati: Redina Çanaku
[1] Malaria – Symptoms and causes – Mayo Clinic
[2] Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, faqja zyrtare ne Facebook