Auditi i KLSH: 13 barna jetike për dializë e tumore janë vonuar, pacientët në QSUT s’kanë marrë në kohë mjekimin, duke rrezikuar edhe jetën

Pacientët e prekur nga sëmundje tumorale, dializa apo transplanti, që marrin shërbim ambulator në QSUT nuk kanë marrë në kohë mjekimin.

Auditi i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka faktuar se përgjatë vitit 2021-2022 në farmacinë e spitalit ka patur mungesë të barnave jetike për këto pacientë.

Audituesit kanë monitoruar 13 barna, duke zbuluar se në disa periudha farmacia nuk ka patur medikamente pasi distributorët që kanë kontrata me Fondin e Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor dhe QSUT, i kanë sjellë me vonesë.

“Referuar dokumentacionit të paraqitur si më sipër, furnizimet janë bërë nga 12 deri në 34 ditë me vonesë, në kundërshtim me recetat e lëshuar nga mjekët, ku barna të tillë për sëmundjet tumorale, dializë dhe transplant kanë një përsëritje fikse, çdo 10 ose 15 ditë.  Theksojmë se nuk bëhet fjalë 13 pacient, por për 13 barna, të domosdoshëm kur kurimin e një numri të konsiderueshëm pacientësh”, thuhet në raportin e KLSH.

Mungesa e ilaçeve është faktuar nga farmacistja e barnave të rimbursuara, e cila në mënyrë të vazhdueshme ka njoftuar me e-mail Pendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza dhe Fondin e Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor.

“Importuesi nuk po furnizon farmacinë… .Theksojmë faktin se QSUNT, ka një numër pacientësh në pritje të barnave të lartpërmendura, të cilat janë të domosdoshëme për ecurinë e shëndetit të tyre”, tha farmacistja e barnave të rimbursuara.

Audituesit kanë referuar se nuk dihet numri i pacientëve të prekur nga këto vonesa në furnizmin me barna, pasi nga QSUT është konsideruar sekret shtetëror. Ata konkludojnë se dëmi shëndetësor është i pallogaritshëm, ndërsa i janë drejtuar institucioneve me këtë rekomandim.

“Nga drejtorët e përgjithshëm të QSUNT/FSDKSH-së, të merren masa për të rinegociuar kontratat/marrëveshjet në fuqi me importuesit farmaceutikë për të bërë amendimet përkatëse, me qëllim përcaktimin e stokut (rezervës) të nevojshme në farmaci referuar numrit të pacientëve që trajtohen dhe të pritshmit (pacientët e rinj), për të eliminuar riskun e mos disponibilitetit të përkohshëm të barit/barnave për pacientët ambulatorë (jo të hospitalizuar), për barnat që rimbursohen nga shteti”, thuhet në rekomandimin e KLSH.

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka evidentuar se mungesa për disa barna ka vijuar edhe përgjatë vitit 2023, duke vënë në rrezik jetën e pacientëve./euronews.al

TABELE 1

Barna për përdorim spitalor 2021-2022

Kodi                       bari                                                furnizim me vonesë

710/96           “Palbociclib 125 mg”                            18 ditë

631/335        “Infliximab 100 mg”                              27 ditë

662/237         “Erelzi 25 mg”                                       14 ditë

487/325     “Imatinib Accord 100 mg”                     30  ditë

732/92         “Ribociclib 200 mg”                              12 ditë

682/14        “Sorafenib 200 mg”                                12 ditë

776/191        “Enzalutamide 40 mg                          27 ditë

453/191        “Tacrolimus 1mg”                                9 ditë

605/441       “Sevelamer Carbonate 800 mg”       26 ditë

705/92         “Dabrafenib 75 mg”                           36 ditë

578/307         “Capecitabine 500mg”                     22 ditë

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

*