Denisa Canameti
Në Shqipëri janë 4000 pacientë me tumore të avancuara. 2000 pacientë janë vetëm në Tiranë. 400 kanë nevojë të shtrohen në spital, e megjithatë asnjëri nuk pranohet, edhe pse mund të vdesë. Absurdi?! Tirana nuk ka spital rajonal dhe ligji parashikon shtrimin e tyre vetëm në spitale rajonale. Nëse nuk dëshiron të vdesësh?! Shko në ministri dhe kërko leje të të shtrojnë në spitalin onkologjik. Nëse ke kohë! Dhe miq!
“J.K, 24 vjeç, i diagnostikuar me osteosarkomë të femurit. Pas dy vitesh ka bërë metastazë të mushkërive. Pasi ka kryer ciklet e kimios, është dërguar në Shërbimin Onkologjik në Banesë për ndjekje të mëtejshme. Gjendja e tij është rënduar, kryesisht në mushkëri ka pësuar një rëndim të menjëhershëm, dhe i është drejtuar Sanatoriumit me rekomandimin e mjekut të familjes. Se ka qenë në shtëpi natën dhe është thirrur mjeku i familjes. Hemoglobina 8. Është pritur në urgjencë dhe është shërbyer. Por pacienti ka pasur nevojë për hospitalizim. Personeli ka refuzuar ta hospitalizojë, me pretendimin se nuk është ky reparti që duhet ti përgjigjet këtij kontingjenti pacientësh, e për rrjedhojë nuk ka shtretër. Pas disa ndërhyrjeve deri në institucionin e Ministrisë së Shëndetësisë, pacienti është hospitalizuar 10 ditë. Pacienti është rikthyer në shtëpi, por pas vlerësimit të një grupi analizash, pas 3 ditësh kur është rikthyer në shtëpi, sërish ka nevojë për hospitalizim”.
Ky është vetëm një rast i ditëve të fundit, ku një pacient, i cili ndiqet nga shërbimi onkologjik në banesë, me tumor të avancuar, për shkak të përkeqësimit të gjendjes ka pasur nevojë për hospitalizim, shtrim në spital. Pas disa përpjekjesh të vazhdueshme me mjekët e këtij spitali, rezulton se i është dashur ndërhyrja deri në Ministrinë e Shëndetësisë, pasi sipas drejtuesve të spitalit, nuk është detyrë e tyre për të pritur këta pacientë.
Por detyrë e kujt është? Ku duhet të drejtohen pacientët me tumore të avancuara, kur pas kontrollit në banesë mjeku vlerëson që rasti duhet të shtrohet?
Më shumë se 1500 pacientë, po torturohen duke shkuar në çdo spital, por në fakt nuk u hapet asnjë derë spitali, ndërkohë që një pjesë e tyre e kanë tejet të nevojshme hospitalizimin disa ditor. Për shembull, një pacient me Coli uteri, që mund të bëjë shpesh hemorragji, disa të tjerë kanë nevojë për disa flakon gjak, etj.
Ligji për Kujdesin Paliativ në Republikën e Shqipërisë, në nenin 13 të tij, njeh të drejtën e këtyre pacientëve për të marrë shërbim spitalor: “Pranë çdo strukture spitalore në nivel rajonal ngrihet dhe funksionon shërbimi ndaj pacientëve, që kanë nevojë për kujdes paliativ me disa shtretër dhe personel shëndetësor që i asiston pacientët” .
Numri i pacientëve me tumore në avancuara në qarkun e Tiranës shkon rreth 2000. Vetëm shërbimi onkologjik në banesë shtetëror ndjek 1300 pacientë, dhe nga këto, rreth 30% e tyre kanë nevojë të hospitalizohen (Të dhënat janë marrë nga burime zyrtare në Shërbimin Onkologjik në Banesë(SOB)).Shërbimi paliativ është shtrirë në nivelin sekondar, pra në nivel spitalor rajonal. Sepse një pjesë e kontingjentit të këtyre të sëmurëve nuk kanë nevojë vetëm për shërbim në banesë, por edhe të hospitalizohen. Tirana, në ndryshim nga qarqet e tjera, nuk ka një spital rajonal. Kjo mungesë ka krijuar një ngërç që sa vjen e ngushton çdo ditë mjekët e shërbimit onkologjik në banesë dhe sidomos pacientët me tumore të avancuara. Spitali onkologjik dhe Sanatoriumi nuk pranon shtrimin e këtyre pacientëve. Drejtuesit e këtyre spitaleve pretendojnë se nuk kanë shërbime të dedikuara për këta të sëmurë, për rrjedhojë as shtretër në dispozicion. Pra, pacientët me tumore të avancuara në Tiranë iu mohohet e drejta për shërbim spitalor në shkelje të hapur të ligjit.
“Nëse një pacient duhet të trajtohet me shërbim paliativ (apo në këtë rast duhet të përfitojë nga shërbimi paliativ) dhe nuk i ofrohet, ka të drejtë të ankohet tek Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi por edhe në gjykatë (nëse ka pasoja shëndetësore). Në gjykatë, përveç diskriminimit, mund të kërkojë edhe shpërblim dëmi shëndetësor që ka ardhur nga mungesa e shërbimit të duhur mjekësor. Këtë konstatim e bën eksperti mjek i licencuar”, shprehet avokati Andi Muratej.
Ndërkohë, sipas Programit Kombëtar të Kontrollit të Kancerit 2011-2020, është vlerësuar si prioritet: “krijimi i një njësie me 5 shtretër, për shërbim të kujdesit paliativ pranë spitalit onkologjik”.
Ministria e Shëndetësisë, keqkupton kërkesën e SOB
Në një dëgjesë në Komisionin Parlamentar për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, “në lidhje me masat e marra në kuadër të tetorit, muajit të depistimit dhe luftës kundër kancerit të gjirit” më 17.10.2017, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu është ndalur edhe te shërbimi paliativ. Në fjalën e saj ministrja është shprehur se: “Shërbimi paliativ në Tiranë ofrohet nëpërmjet Shërbimit Onkologjik në Banesë, i cili ka në përbërjen e tij 7 mjekë, 8 infermierë dhe 1 sociolog. Gjithashtu, për kujdesin paliativ ofrojnë shërbim edhe organizata të tjera të licencuara në të gjithë Shqipërinë. Në të gjitha spitalet rajonale janë ngritur kabinete për kujdesin paliativ, të cilat u shërbejnë pacientëve të qarqeve. Struktura e kujdesit paliativ është përfshirë brenda strukturës së spitalit dhe përbëhet nga 1 mjek onkolog, 2 infermierë dhe 1 psikolog”.
Ministrja ndalet në përfshirjen e këtij shërbimi brenda strukturës së spitalit, por nuk përmend Tiranën. Edhe pse Tirana ka numrin më të madh të pacientëve me tumore të avancuara.
Të kontaktuar nga gazeta ‘Shëndet+’, burime brenda Shërbimit Onkologjik në Banesë (SOB) shprehen se e kanë vënë në dijeni ministren për këtë çështje. Por, e gjithë ideja, sipas tyre, është keqkuptuar.
“Ministrja është vënë në dijeni për këtë çështje. Edhe pse nuk kemi patur një komunikim zyrtar. Por, është kuptuar sikur ne kërkojmë të zhvendosim shërbimin. Në fakt, nuk është kështu. Ne kërkojmë vetëm që të ketë shtretër të dedikuar për këta pacientë ose në Onkologjik ose në Sanatorium. Sepse edhe mjekët tanë shpesh herë gjenden përballë rasteve të tilla, që nuk mund të ndërhyjnë nëse nuk e kanë pacientin në spital.
“Deri sot nuk është ngritur zëri për këtë çështje, sepse kujdesi paliativ në Shqipëri ka patur probleme të tjera. Nuk kishte standarde, nuk kishte ligjin, nuk kishte ambiente, nuk kishte shtrirje në gjithë Shqipërinë, nuk kishte një manual. Përveç kësaj, numri i pacientëve ishte i vogël. Tani kemi një rritje të frikshme të numrit të pacientëve me kancer. Nëse deri dje kishim nevojë për 100 pacientë që të shtroheshin, sot kemi nevojë për 200-300 pacientë”, shprehen burimet.
Henrik Zotaj- Përfaqësues i SOB: Jemi në diskutime me onkologjikun
Shërbimi paliativ është vendosur në strukturat spitalor, me qëllim që pacientët të kenë mundësi të përfitojnë edhe nga shërbimi në banesë, por në raste të caktuara, kur vlerësohet e nevojshme, të hospitalizohen. Pacientët në Tiranë është e vërtetë që kanë probleme. Ne kemi kërkuar që atë që kemi bërë për spitalet e tjera rajonale, ku i kemi detyruar strukturat spitalore që të pranojnë këtë shërbim në ambientet e tyre, ta bëjmë dhe për Tiranën.
QSUT-ja ka bërë një shkurtim shtretërish, a nuk e keni diskutuar që këto shtretër të rikthehen, si alternativë e mirë për t’u vënë në shërbim të paliativit?
Aty jo vetëm që s’duhen shkurtuar shtretër, por përkundrazi duhet rritur numri i shtretërve. Kemi diskutuar me onkologjikun, por kanë menduar deri sot që nuk kanë hapësirat e nevojshme. I jemi rikthyer këtij diskutimi dhe na është parashtruar një variant që është një gjysmë kati bosh në shërbimin onkologjik. Aty mund të krijohen disa dhoma, disa ambiente, ku të ketë një shërbim të kujdesit paliativ për rastet që ne dërgojmë për t’u hospitalizuar.
Nëse arrihet marrëveshje me QSUT-në, si do veprohet me stafin?
Në rajone nuk kemi shtuar staf, pra nuk është ngritur një shërbim nga e para. Tirana është gjysma e Shqipërisë. Ligji parashikon hospisin, parashikon shërbimin spitalor dhe shërbimin në banesë. Në Tiranë pacientëve nuk u japim dot shërbim sipas ligjit. Për shembull, një pacient që do ta monitorosh me eko çdo ditë, nuk e bën dot në shtëpi. Tirana duhet të ketë ose një hospis, që në fakt kushton, por në mungesë të hospis, duhet të gjendet një hapësirë të spitali onkologjik, ose një hapësirë të Sanatoriumi.
Silvana Çeliku- Shefe e shërbimit të onkologjisë, QSUT
Onkologjiku, qendër kurative
Jemi qendër kurative. Kemi mbajtur me sforco 3-4 pacientë që vijnë nga rrethet. Por nuk kemi hapësirë për më shumë. Të ngrihet një hopsis. Ka qenë një qendër për këta të sëmurë dhe u mbyll.
Fatmir Prifti – Mjek-anestezist dhe njëkohësisht specialist i terapisë së dhimbjes, QSUT
(Drejtues i shoqatës Sue Ryder Albania)
Qendra është kërkuar. Në onkologjik shtretërit janë plot
Janë disa struktura të veçanta që quhen hopsis. Ryder e ka pasur një të tillë nga viti 2002 – 2009, e cila u mbyll për arsye financiare. Nuk arritëm që të merrnim një fond nga Ministria e Shëndetësisë dhe nga qeveria e asaj kohe.
Këta janë pacientë që nuk shërohen, por kurohen. Trajtimi është kryesisht ambulator, në shtëpi. Në spitalet rajonale, nëpër rrethe, shërbimi paliativ është vendosur në nivel sekondar për arsye të kostos. Në fakt, i takon parësorit. Por, meqë shteti nuk kishte mundësi për ambiente të reja, personel të ri, si dhe duke nisur nga shfrytëzimi i shtratit nëpër spitalet rajonale, u vendos të bëhet në sekondar. Edhe në spitalet rajonale, struktura nuk ka personel që të qëndrojë 24 orë. Ka raste që vijnë në spitalet rajonale dhe i transferojnë në pavionin e kirurgjisë apo te sëmundjet e brendshme që të hospitalizohen, se normalisht ato janë të gjithë me kartela ditore.
Në rrethe nuk ka shfrytëzim shtrati dhe ka shtretër sa të duash, ndaj dhe i shtrojnë. Ndërsa në Tiranë, shtretërit janë plot. Ka radhë operacionesh, i mbajmë nëpër karroca pacientët sa të lirohet krevati, kjo është arsyeja.
Doktor, a e mendoni të arsyeshme që të gjendet një hapësirë brenda onkologjikut për të patur edhe vetëm 3 shtretër për këta të sëmurë?
Sigurisht! Është një gjë që është kërkuar. Meqenëse spitali onkologjik mbulon pjesën më të madhe të atyre që kanë nevojë për shërbim paliativ (se nuk janë vetëm të sëmurët me kancer që kanë nevojë për shërbim palitiv, por nëse mbulojmë ata kemi bërë një punë të mirë), duhet ajo qendër këtu me pak shtretër. Them 4 shtretër për arsye dhe të edukimit, të trajnimit edhe të mjekëve onkolog që bëjnë specializimin këtu, apo të infermierëve që do bëjnë master për kujdesin paliativ. Të jetë një pikë referimi, trajnimi. Duhet! E kemi ngritur! E kemi kërkuar!
Jetëgjatësia e një pacienti nën kujdesin paliativ, deri në disa vite
Kujdesi paliativ ndjek të sëmurët me kancer të avancuar dhe shumë të avancuar. Të avancuar kur tumori jep metastaza dhe ka pak shpresë për trajtimin e tij të plotë. Sot, kujdesi paliativ është edhe për ata pacientë që në të njëjtën kohë trajtohen në spitalin onkologjik me kimioterapi ose me radioterapi, po në të njëjtën kohë këta pacientë ndiqen nga shërbimi i kujdesit paliativ për simptomatologji që ato shfaqin, si për dhimbjen.
D.Ç vazhdon kimioterpainë në spital, dhe në të njëjtën kohë ndiqet në shërbimin onkologjik në banesë, për gjithë simptomatologjinë që ajo ka në avancë.
Jetëgjatësia e një pacienti në kujdesin paliativ mund të shkojë nga disa muaj në disa vjet.
Kontrolli i dhimbjes, i simptomave të tjera dhe problemeve psikologjike, sociale dhe shpirtërore, janë me rëndësi të dorës së parë. Qëllimi i kujdesit paliativ është arritja e cilësisë më të mirë të jetës për pacientët dhe familjet e tyre.
*PKKK: Mungojnë strukturat në shtet, 95% e pacientëve preferojnë të vdesin në shtëpi
Është përllogaritur që vdekshmëria nga kanceri në vendin tonë është rreth 3000 vdekje nga 4000- 4500 raste të reja të zbuluara çdo vit (Programi Kombëtar i Kontrollit të Kancerit 2011-2020(*PKKK)). Kjo do të thotë se mbi 75-80% e rasteve arrijnë në një fazë shumë të përparuar të sëmundjes, ku shanset për shërim përfundimtar janë të pakta. Në spitalet publike mungojnë strukturat e duhura lidhur me kujdesin paliativ dhe 95% e pacientëve preferojnë të vdesin në shtëpi. Si rrjedhojë, përmirësimi urgjent i situatës së Kujdesit Paliativ duhet të trajtohet dhe t’i vihet theksi si një problem i madh për strukturat publike të kujdesit shëndetësor.
Si përfundim, përmirësimi i cilësisë së jetës për pacientët me kancer në gjendje terminale, lehtësimi i dhimbjes dhe i simptomave të tjera, dhe problemet psikologjike, sociale dhe shpirtërore të lidhura me sëmundjen dhe trajtimin e saj duhet të jenë përparësi.
Rekomandime/OBSH: Të përfshihet kujdesi paliativ në institucionet ekzistuese të kujdesit shëndetësor
Në Shqipëri ka rreth 17.800 vdekje në vit. Mund të vlerësohet se rreth 60% e vdekjeve në Shqipëri (mbi 10.000) kanë nevojë për kujdes paliativ dhe qetësimin e dhimbjeve nëpërmjet dhënies së një analegjeziku opioid si morfina. Me të paktën dy anëtarë të familjes që kujdesen për të sëmurin e tyre terminal, do të bëheshin rreth 30.000 individë në vit, të paktën, që do të kishin cilësinë e tyre të jetës shumë të përmirësuar nëse ofrohet mbështetja nga kujdesi paliativ. Pjesa më e madhe e njerëzve, 95%, vdesin në shtëpi dhe kjo preferohet si nga të sëmurët ashtu edhe familjarët e tyre. Pra, ende mënyra e vdekjes nuk është institucionalizuar në Shqipëri, gjë që duhet të mënjanohet nëpërmjet fuqizimit të shërbimeve në shtëpi, kujdesit më të mirë në të ardhmen, si edhe fuqizimit të shërbimeve kulturore dhe mjekësore. OBSH rekomandon që të përfshihet qetësimi i dhimbjeve dhe kujdesi paliativ në institucionet ekzistuese të kujdesit shëndetësor, në shërbimet e KSHP. Institucione të ndara të kujdesit si spitalet mund të shërbejnë si shembuj në atë që mund të bëhet, por nuk do të ishte e mjaftueshme për të arritur mbulimin e të gjitha nevojave.
Një numër i lartë, mbi 2/3 e pacientëve, diagnostikohen në një stad të avancuar dhe të pashërueshëm. Kështu që për pjesën më të madhe të vuajtësve nga kanceri, qetësimi i dhimbjes dhe kujdesi paliativ është terapia më realiste dhe e duhur për t’u ofruar. (Marrë nga Programi Kombëtar i Kontrollit të Kancerit 2011-2020).
MShMS: Në mungesë të spitalit rajonal Tiranë, pacientët referohen në QSUT dhe SU “Shefqet Ndroqi”
Më një shkresë, të datës 21.05.2018, e pyetur lidhur me kujdesin shëndetësor për pacientët me sëmundje tumorale që banojnë në Tiranë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, përgjigjet si më poshtë:
Kujdesi paliativ në Qarkun e Tiranës ofrohet nga Shërbimi Onkologjik në Banesë si strukturë shëndetësore në varësi administrative të Autoritetit Shëndetësor Tiranë, si dhe shoqata Rayder.
Të sëmurët me sëmundje tumorale të cilët marrin kujdes paliativ, në rast se kanë nevojë për trajtim spitalor, nisur nga fakti se Qarku Tiranë nuk ka spital rajonal, referohen pranë Shërbimit të Onkologjisë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, si dhe të sëmurët me Ca pulmoni, në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”.
Nisur nga fakti se sëmundjet tumorale zënë një peshë të madhe në sëmundshmërinë e popullatës si dhe faktit që kjo patologji ka qënë një nga prioritet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në trajtimin e problemeve onkologjike, gjithnjë janë përfshirë dhe është marrë mendimi i specialistëve të Shërbimit Universitar të Onkologjisë si dhe shërbimeve onkologjike në gjithë vendin.
“Ky investigim mbështetet financiarisht nga projekti: “Transparenca në sistemin shëndetësor”, që mundësohet nga mbështetja e Popullit Amerikan nëpërmjet Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi vetëm e “Together for Life” dhe nuk reflekton detyrimisht pikëpamjet e USAID apo të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara”.