Dita Botërore e Hipertensionit u iniciua nga Liga Botërore e Hipertensionit (WHL) që me 17 maj 2005, me synim rritjen e ndërgjegjësimit mbi hipertensionin (presioni i lartë i gjakut) dhe ndikimin e tij në shëndet.
Kjo ditë shërben edhe për të inkurajuar parandalimin, zbulimin dhe kontrollin e hipertensionit.
Hipertensioni prek më shumë se një miliard njerëz në mbarë globin dhe mbi 30% të popullsisë së rritur në botë. Është faktori kryesor i rrezikut për sëmundjet kardiovaskulare, veçanërisht sëmundjet e arterieve koronare dhe goditjet në tru. Përveç kësaj, hipertensioni është gjithashtu një faktor rreziku për sëmundje kronike të veshkave, dështim të zemrës, aritmi dhe demencë. Kjo është arsyeja pse shkëmbimi i informacionit në lidhje me këtë gjendje është thelbësor.
Si mund të ndihmojmë në këtë ditë?
- Përhapni fjalën
Disa persona jetojnë me hipertension dhe janë të panjohur me gjendjen e tyre. Për këtë aryse është e rëndësishme të përhapni fjalën në botë lidhur me hipertensionin, në mënyrë që të kontrollojnë presionin e gjakut rregullisht.
- Kontrolloni presionin tuaj të gjakut
Mbase ju jeni një prej atyre personave që nuk janë në dijeni të situates së presionit të lartë të gjakut. Kështu që, duhet ta kontrolloni atë nëse e keni në nivel normal.
- Parandalojeni
Duke qënë se hipertensioni jo gjithmonë shfaq simptoma, është jetësore kontrolli i tij nëse e keni. Gjithashtu, duhet të përpiqeni ta parandaloni atë duke ruajtur peshën tuaj trupore, duke kryer ushtrime të rregullta fizike dhe duke reduktuar konsumimin e alkolit.
Të dhëna për Shqipërinë:
Lidhur me Shqipërinë, të sëmurët kronikë në vendin tonë dominohen nga dy grup diagnozash që kanë përgjegjëse stilin e jetesës. Mungesa e aktivitetit fizik dhe kequshqyerja po përhapin diabetin dhe hipertensionin në masë. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2020 gati gjysma e të sëmurëve kronike që trajtohen me rimbursim vuanin nga hipertensioni dhe diabeti. Bazuar në sistemin e recetës elektronike me rimbursim në vitin 2020, 11,5% e pacientëve kronikë janë trajtuar për diabet Mellitus dhe 36,1% e pacientëve kronik për Hipertension Arterial.
Sipas qarqeve, Durrësi ka përqindjen më të lartë të pacientëve kronik të trajtuar për Diabet Mellitus me 14,5%, ndërsa për Hipertension Arterial përqindjen më të lartë e ka qarku Kukës me 48,4%. Anketat e INSTAT dhe Institutit të Shëndetit kanë gjetur se përhapja në masë e diabetit dhe hipertensionit vijnë si pasojë e sjelljeve të konsideruara me risk për shëndetin si: konsumimi i alkoolit, pirja e duhanit dhe jeta sedentare.
Stili i jetesës ka ndikim të rëndësishëm në rritjen e jetëgjatësisë nëpërmjet parandalimit të shumë sëmundjeve kronike si: hipertensioni, yndyrnat në gjak dhe obeziteti etj. Sipas studimit të fundit Demografik dhe Shëndetësor (2017/18), 5,0% e grave dhe 36,0% e burrave të moshës 15-49 vjeç ishin duhanpirës. Të dhënat sipas qarqeve tregojnë se përqindja me e lartë e burrave 15-49 vjeç që pinë duhan është në qarkun Vlorë (44,9%) dhe përqindja më e ulët në qarkun Korçë (22,9%). Ndërkohë përqindja më e lartë e grave që pinë duhan është në qarkun e Tiranës (7,2%) dhe përqindja më e ulët në qarkun e Kukësit (0,2%).